Rama ka kërkuar përjashtimin e Dritan Lelit nga PS e Vlorës, pasi ky i fundit nuk pranoi që të linte Bashkinë për t’u bërë deputet. Duke lënë pas këtë emër, gjatë një takimi me kandidatët e Partisë Socialiste në këtë qark, Rama tha se PS në Vlorë ka krijuar një skuadër fituese, me persona që jetojnë dhe kanë kontribuar për qytetarët.
Ai u shpreh se ndryshe nga PD-ja, PS-ja ka brenda listës persona që përfaqësojnë minoritetin dhe komunitetin çam. Ndër të tjera, Rama ka folur për zhvillimet në Vlorë.
“Porti i ri do të sjellë turistë me jahte, dhe do ti sjellë Vlorës shumë të ardhura. Mbi 1500 të ekuipazheve të tyre do të jetojnë këtu, një vlerë e shtuar dhe për ekonominë.
Nga ana tjetër, vazhdimi i investimeve që janë në proces kompesohet me aeroportin e Vlorës, ku ka dalë kompania fituese dhe po negociohet kontrata dhe brenda tre javësh unë kam besim që do të nisë dhe puna. Aeroporti i Vlorës është një hall i zgjidhur dhe që u bllokua për shkak të pandemisë, është një garanci që ekonomia e Vlorës do të ndryshojë dhe do të shkojë në një nivel tjetër. Pasi dihet se një euro e investuar në një aeroport, kthehet në një ekonomi ku fitohet si një kontribut i drejtpërdrejtë në infrastrukturë”.