Kryeministri Rama ndodhej sot në qarkun e Korçës, ku vizitoi mësonjëtoren e Parë Shqipe, e cila iu nënshtrua një rikonstruksioni total pas dëmtimeve nga tërmeti. Ai vizitoi dhe Bibliotekën e Re moderne të Korçës, e cila do të përdoret edhe si qendër e mësimeve të teknologjisë së lartë, për t’i futur të rinjtë në rrugën e punësimit në tregun global online. Ndërsa në Devoll Rama e vuri theksin në dallimet e thella mes PS dhe PD tek taksimi. Kryeministri paralajmëroi rritjen përsëri të pagave për mjekët dhe mësuesit.
Ky premtim është i ripërsëritur, pasi disa muaj më parë Rama bëri të njëjtën deklaratë. Ai tha se pagat e mësuesëve do të rriteshin me 40%. “Dhe plotësojmë dhe një zotim të mbarë që do të kemi rritje 40% në këtë 4-vjeçar për pagat e mësuesve, duam të arrijmë atje. Sa u përket mjekëve dhe infermierëve aq më tepër në kushtet aktuale, në kushte komplekse. Mos të ketë pagë inferiore, në krahasim me pagat në Itali e Gjermani”, ka deklaruar kreu i qeverisë më herët.