“Unë dua t’i siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitanca që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale, me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë dhe kam shumë besim se edhe bashkësia ndërkombëtare edhe sidomos Bashkimi Europian do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë sepse është e pakuptimtë dhe ta kërkosh që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës, duke shfrytëzuar nga ana e vetë, të drejtën për ta monitoruar këtë proces”.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në takimin me Këshillin Koordinues të Diasporës për amnistinë fiskale.
Pavarësisht se përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri, BE si dhe Dhoma Amerikane kanë dalë kundër nismës për shkak të rreziqeve që sjell, Rama ka theksuar se do ta bëjë amnistinë fiskale me çdo kusht.
“…është një padrejtësi shumë e madhe dhe është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati ne të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton që nuk mund të na paragjykojë si një vend që edhe pse e ka në të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot qartësisht kjo është një masë që mbështetet masivisht nga qytetarët e vendit, nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar me lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të, nuk e di, të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur, por që në fakt ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme”, tha Rama.
Ky projektligj i qeverisë shqiptare është kundërshtuar fuqishëm nga aleatët kryesorë të Shqipërisë, SHBA dhe BE, Rama këmbëngul të çojë përpara këtë nismë, aq shumë të kritikuar pavarësisht paralajmërimit se mund të rrezikojë dhe rrugën europiane të Shqipërisë.
Qëndrimi i SHBA
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, para nisjes së dialogut strategjik mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare tha se kjo e fundit duhet ta përshtatë sipas kërkesave të BE-së amnistinë fiskale.
Ai u shpreh për Zërin e Amerikës se SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me këtë nismë, të cilat i ka diskutuar me qeverinë shqiptare.
Dhoma amerikane e Tregtisë gjithashtu është kundër amnistisë fiskale duke i kërkuar qeverisë së Shqipërisë të tërhiqet nga kjo nismë.
Sipas një deklarate të shpërndarë prej saj “rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij”, duke rekomanduar tërheqjen e kësaj nisme. “Projektligji parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, pa specifikuar burimin e tyre, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 5-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale, pavarësisht se fondet mund të jenë krijuar si pasojë e krimeve të ndryshme financiare, si evazion fiskal, kontrabandë, apo mashtrime me TVSH-në.
Ndërkohë nuk parashikohen mekanizma të rreptë që do të përjashtonin përfitimet nga kjo nismë dhe të parave të krijuara nga aktivitete të rënda kriminale si trafiqet e paligjshme. Sipas Dhomës amerikane “dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qenieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia”.
Një tjetër aspekt shqetësues, konsiderohet nga Dhoma amerikane, efekti negativ mbi sipërmarrjet private, duke sjellë “konkurrencë të pandershme”, pasi “individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, do të favorizoheshin duke shmangur pasojat e sistemit gjyqësor, duke investuar fonde nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale, si dhe duke paguar një normë tatimore më të ulët (5-10 përqind) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32 përqind.Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen”, nënvizon deklarata.Sipas Dhomës amerikane, nisma rrezikon të sjellë pasoja dhe në raportin e vendit kundrejt institucioneve ndërkombëtare.
“Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE”, thekson Dhoma amerikane e Tregtisë.
Qëndrimi i BE
Në muajin shtator, delegacioni i Bashkimit Evropian ripërsëriti sot se “BE-ja ka shqetësime serioze për projektin aktual të ligjit për amnisti fiskale” të propozuar nga qeveria. “Ne do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”, nënvizoi Delegacioni në një reagim për mediat, duke lënë të nënkuptohet qartë, se në formën që është, propozimi për ta është i papranueshëm.
Ky qëndrim, në linjë me atë të shprehur dhe më parë, merr një peshë edhe më të rëndë nga fakti se erdhi pas takimit të sotëm mes ambasadorëve të vendeve anëtare ku ishte dhe ambasadorja amerikane dhe ai britanik, me përfaqësues të qeverisë dhe shumicës socialiste.
Për herë të parë, Bashkimi Evropian u shpreh publikisht lidhur me amnistinë në fund të qershorit, gjatë mbledhjes në Bruksel të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Ndërsa u shpreh që në atë kohë me të njëjtat terma për “shqetësime serioze”, deklarata e mbledhjes vinte në dukje se nisma “do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”.
Edhe dy vjet më parë qeveria shqiptare paraqiti një projekt për amnisti fiskale, nga i cili u detyrua të tërhiqet në momentet e fundit si pasojë e trysnisë si nga ana e Fondit monetar ashtu dhe nga Brukseli.