Rama sot hoqi ‘traun’ por bora dhe policia ribllokojnë rrugën e ‘Arbrit’/ Ja mënyra e vetme se si mund të kalohet në këtë aks…

Nuk ka zgjatur as 12 orë hareja e hapjes së parakohëshme të kantierit të “Rrugës së Arbrit”, pasi bora, ngricat dhe trafiku i dendur bënë të tyren…

Sot kryeministri Edi Rama ngriti vetë traun e “Rrugës së Arbrit”, por duket se mbetet ende shumë punë dhe standarde për t’u zbatuar në këtë rrugë.

Reshjet e dëborës që kanë kapur të papërgatitur udhëtarët e shumtë kanë bërë që të krijohen radhë të gjata makinash.

Ndërkohë borëpastrueset e kanë mjaftë të vështirë për pastrimin e rrugës për shkak të ngarkesës së makinave në rrugë.

Situata për shkak të reshjeve të shiut, borës, por edhe breshërit në shumë zona të vendit ka bërë që të shfaqen probleme.

Por pas disa orësh të kaluara në të ftohtë dhe acar, është bërë i mundur zhbllokimi i qarkullimit në “Rrugën e Arbrit”, konkretisht në Qafë-Murriz ku mbrëmjen e sotme mbi 100 mjete ishin bllokuar për shkak të borës dhe ngricave.

Policia e Shtetit njofton se për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, në të gjitha rrugët e vendit është krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Në disa akse rrugore, kryesisht në bypass-in e rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe e mospërdorimit të zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa, në bashkëpunim me firmën që ndërton rrugën, dhe pas ndërhyrjes së borëpastrueseve qarkullimi i automjeteve vijon, por me ngadalë.

Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash emergjente, duke rritur prezencën e shërbimeve me uniformë, në të gjitha rrugët e vendit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të ujit dhe të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *