Kryeministri Edi Rama u mirëprit sot nga homologu i tij britanik Rishi Sunak në Downing Street, Mbretërinë e Bashkuar, në vizitën e parë zyrtare të një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike. Rama dhe Kryeministri Sunak vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 100 vjetorin e tyre, dhe shprehën vullnetin e përbashkët për t’i thelluar ato në të ardhmen, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në mënyrë të vecantë në luftën kundër sulmeve kibernetike.
Rishi Sunak: Edi është një kënaqësi e madhe që të ju mirëpres në Mbretërinë e Bashkuar në Downing Street. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qartazi kanë një partneritet të fortë dhe pres ta thellojmë këtë marrëdhënie sot me ju. Vitin e shkuar, ne kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë dhe do ta diskutojmë këtë më vonë dhe gjithashtu se çfarë mund të bëjmë më shumë për kthimin e të burgosurve. Por ka më shumë, marrëdhënia jonë për të folur, siç është forcimi i bashkëpunimit tonë ekonomik, tregtisë, sigurisë, veçanërisht lufta kundër sulmeve kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria. Ka shumë për të cilat mund të flasim, por jam i kënaqur që jeni sot këtu kryeministër.
Edi Rama: Faleminderit kryeministër, jam shumë i nderuar. Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar. Është një moment i veçantë sa i përket bashkëpunimit tonë, siç e thatë dhe ju ne tashmë kemi bashkuar forcat për të luftuar rrjetet kriminale dhe të shmangim përfshirjen e njerëzve të pafajshëm në këtë vorbull. Në të njëjtën kohë, të falenderoj sepse kjo është një mundësi për të nënvizuar se jo të gjithë britanikët janë si James Bond apo Mr. Bean dhe jo të gjithë shqiptarët janë karaktere negativë, apo një djalë që vjen me varkë nuk është thjesht një shqiptar, por është pjesë e një panorame më të gjerë. Dua Lipa nuk është vetëm një këngëtare britanike, por është dhe një emigrante që ka ardhur këtë, si shumë shqiptarë të tjerë që kanë ardhur për ndërtim, mjekësi, kuzhinë, që ndjehen jo vetëm të sigurt këtu por edhe të nderuar. Në aspektin e sigurisë kemi gjithë angazhimin për të forcuar bashkëpunimin. Jemi gati për të bërë më të mirën dhe ju ftoj në Tiranë sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë që nga Winston Churchill.