Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me operatorët në Vlorë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Vlora ka pasuar ndryshime si pasojë e projekteve të zhvilluar në këtë qytet. Më tej, ai shtoi se në fund të vitit 2024 pritet të zhvillohet fluturimi i parë në Vlorë, pasi sipas tij punimet për aeroportin janë në zhvillim e sipër.
“Ne themi çdo shaka është gjysma e të vërtetës. Ju faleminderit për këtë moment. Më vjen keq për vonesën dhe pamundësinë për të qenë dhe pasur një takim më të gjatë, por për shkaqe objektive, u vonuam pak. Gjithsesi më vjen mirë që Vlora sot është pasqyrë kuptim plotë e një transformimi që ka filluar të prodhojë ekonomi dhe të rrisë kërkesën turistike për Vlorën në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është një sfidë për të pasur më shumë kapacitete dhe për të pasur shërbim më të mirë sepse në fund të ditës, shërbimi dhe cilësia e shërbimit janë ato që bëjnë diferencën. Më vjen mirë që tani e kemi nisur me dy kantierë të mëdha që do i japë shtysë të madhe turizmit, ekonomisë. Porti turistik do të sjellë një Vlorë një tjetër kategori turistësh dhe portit të ri tregtar që do të lehtësojë industrinë e peshkimit…Me kantieret e reja që janë hapur dhe do hapen do t’i japin një impuls të ri Vlorës. Pa harruar aeroportin u punimet ecin shumë mirë dhe fluturimin e parë do ta kemi në fund të vitit 2024 dhe shpresojmë të mos kemi surpriza. Aeroporti i Vlorës pati shtyrje që ishin jashtë vullnetit tonë, por tani është tërësisht në vijë dhe nëse nuk ndodh ndonjë gjë e paparashikuar jam besimplotë që në fund të vitit 2024 do të kemi fluturimin e pare”, tha Rama.