Mesditën e sotme kryeministri Edi Rama ka pritur dhe vlerësuar dy medalistët olimpikë që morën medalje në Lojërat Olimpike të Parisit. Dy mundësit e Shqipërisë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, fituan secili medalje bronzi në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Rama theksoi se Shqipëria tashmë është kthyer nga një vend ku sportisët i largoheshin, sot i afrohen për shkak të reformave që janë ndërmarrë.
“Shqipëria nga një vend që braktisej nga fëmijët e vetë sepse nuk i garantonte dot as ushqimin dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin në medalje ari për vende fqinje, është kthyer në një vend që mund të adaptojë fëmijë që rriten nga vende të tjera. Nëse do ishte Shqipëria e djeshme askush nuk do vinte që të kërkonte të adoptohej nga ky vend dhe ta përfaqësonte këtë vend.
Sot ka më shumë se një arsye për të ardhur sidomos kur bëhet fjalë në sportet individuale olimpike. Shqipëria ka arritur të krijojë një kuadër mbështetje që është ndër më të sigurtët dhe më tërheqësit në gjithë rajonin tonë dhe më gjerë për shkak se vende më të mëdha kanë shumë më shumë displina ku shkëlqejnë dhe nuk është se shkëlqejnë në disa lloj sportesh” tha ai.
Në ligjin e ri të sportit të miratuar në vitin 2021, sportistët medalistë me medalje bronzi shpërblehen me 5 milionë lekë të reja dhe do të marrin dhe gradën kolonel në Ushtrinë Shqiptare. Çeku me vlerën financiare u nda nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.