Zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Bruksel hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit të Shqipërisë për një rol të komisionerëve në zgjedhjet e 25 prillit. Në përgjigje të kreut të qeverisë, zëdhënësja për shtyp e KE, Ana Pizonero deklaroi për EuroNews se aktiviteti i sotëm, pjesë e së cilit ishte edhe kryedemokrati Lulzim Basha ishte në nivel rajonal dhe pa asnjë ndikim në situatën politike shqiptare.
“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi. Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor. Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit evropiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.
Ky reagim vjen pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili iu drejtua KE-së duke thënë se eurokomisionerëve duhet dikush që t’u thotë se ndërhyjnë në fushatë elektorale. Rama e kishte fjalën për aktivitetin e zhvilluar sot nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili në këtë takim tha se mori mbështetjen e BE-së për programin e arsimit të PD-së.