Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se gjatë fjalës së tij për 45 minuta kryeministri Rama nuk dha asnjë përgjigjie. Ai tha se nuk u shpjegua përse Rama kishte pasur një marrëdhënie kaq të ngushtë me ish zyrtarin e FBI-së, McGonigal me të cilin pranoi se kishte darkuar plot 14 herë.
Pjesë nga fjala e Bardhit: “Për 40 minuta nuk tha asgjë edhe iku. Cilido prej jush që priste përgjigje nga Edi Rama mori thjesht një lum metaforash, sharje ndaj opozitës dhe asnjë sqarim për këtë akuzë nga drejtësia amerikane. Sa kohë është kryeministër fshihet pas imunitetit diplomatik që i jep konventa e Vjenës. Do duhet të ishte larguar nga karrigia e kryeministrit, të lejonte drejtësinë amerikane të kryente hetimet ndaj tij. Pranoi se kishte ngrënë 14 darka me McGonigal.
Nuk na tha ç’ishte gjithë kjo dashuri e madhe e shefit të FBI-së me Ramën. Pse nuk kishte të njëjtën dashuri për kryeministrin e Malit të ZI dhe të Kosovës? Çfarë e lidhte me Ramën?
Nëse prisnit që sot Edi Rama të jepte shpjegime besoj se pas shpjegimit të tij, e kuptuat se sot u soll fiks si i pandehur. Sepse është i përfshirë në një nga aferat më të rënda në këto 30 vite sepse ka brenda korrupsion, ka brenda trafik, cënim sigurie kombëtare, cënim marrëdhëniesh me partnerin strategjik”