Rama: Vaksinimi me AstraZeneca do të ndërpritet nëse e thotë OBSH dhe EMA

Nga Durrësi, kryeministri Edi Rama u shpreh se askush nuk duhet të ketë frikë, pasi vaksina e AstraZeneca është e sigurtë. Ai bëri me dije se nëse Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe EMA (ajo që certifikon vaksinat në Europë) do të thotë që të ndalohet vaksinimi me AstraZeneca, atëherë do të ndalohet.

“Nuk kanë asnjë faj njerëzit që shqetësohen nga lloj-lloj lajmesh dhe lloj-lloj lëvizjesh që mund të kenë 1001 arsye. Kjo është lutë e madhe për jetën por është edhe luftë e madhe tregtare. Nuk e kanë ndërperërë vaksinimin, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmaur sot prapë që do të vazhdojë, sepse nuk ka asnjë evidencë shkecore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjeshtë për një dyshim që lidhet me një seri tjetër dhe të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, po presin konfirmimin e OBSH dhe të EMA, që deri tani ka konfirmuar vetëm vlerën e vaksinës dhe kur të thonë ndalojni do e ndalojmë. Madje sot po flisja me Londrën, aty janë bërë miliona vaksina AstraZeneca dhe s’ka fare asnjë shqetësim nga askush dhe Agjensia Britanike ka rikonfirmuar dhe vazhdon vaksinimin”, tha Kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit po vlerësojnë situatën në dinamikë.

“Ne po tregohemi të kujdesshëm, Komiteti i Vaksinimit do të mblidhet periodikisht, për të vlerësuar situatën, por ne do të presim vendimin e OBSH-së dhe EMA-s”, theksoi Manastirliu.

Ajo u ndal edhe sa i përket procesit të vaksinimit të mësuesve në vend.

“Edhe në Durrës vaksinimi i mësuesve po ecën shumë mirë. Në të gjithë Shqipërinë janë 41 shkolla deri tani ku është hapur procesi i vaksinimit. Ka patur pak hezitim po është kapërcyer, pasi ekspertët e kanë shpjeguar se të gjitha vendimet do të jenë të bazuara në rekomandimet e OBSH dhe EMA”, deklaroi Manastirliu.

Deri tani në vendin tonë janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin. Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim. Deri tani qeveria shqiptare ka siguruar 1,6 milion doza vaksinash për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratave me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *