Duket se kryeministrit Rama nuk i ka dalë ende inati me Dritan Lelin, ku dhe i dha goditjen finale duke e përjashtuar nga PS-ja. Ai ka sulmuar Dritan Lelin nga Vlora, duke u shprehur se nuk ‘presin të vdekurit e Bashkisë’. Kreu i qeverisë inspektoi këtë fundjavë punimet në Lungomare 2 në Vlorë, ku premtoi një plazh të ri publik me 5 yje. Plani i tij është që Vlora të ketë një sezon turistik të rimëkëmbur. Gjatë inspektimeve, Rama thumboi Dritan Lelin, një marrëdhënie e krisur tashmë mes palëve që para fushatës zgjedhore.
Rama: Ndërkohë atë fushën e basketbollit aty?
Përfaqësuesi i firmës: Njëra është bërë, e ka bërë Leli. Fusha e futbollit është bërë. Tek njëra është qepur qilimi. Edhe të tjerat po bëhet, për sezon do të jenë gati.
Rama: Ta bëjmë, ta mbarojmë sepse të presësh të vdekurin e Bashkisë, është…
Prishja e miqësisë u bë pikërisht refuzimi nga ana e Lelit, që të linte punën si kryebashkiak për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme për deputet. Rama tha në atë kohë se dhe pa të, PS do të fitonte dhe e përjashtoi nga fushata elektorale.
Shefi i mazhorancës mori hak politikisht ndaj Dritan Lelit, duke i kërkuar strukturave të këtij qyteti përjashtimin e tij nga fushata elektorale dhe partia. Leli është kryebashkiaku i dytë vlonjat, që pas konflikteve me Ramën, përjashtohet nga partia.
“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat, privatisht le ta ndihmojë, por jo me ne”, thuhet në mesazhin që kryesocialisti Rama i dërgoi Asamblesë së PS në muajin mars të këtij viti, pak para zgjedhjeve.
Akti i Lelit u pa si tradhti nga socialistët, të cilët e dëbuan nga postet politike, por jo atë publik pasi mandati i kryebashkiakut i përfundon në korrik të vitit 2023.