Ramush Haradinaj Kryeministër, dëshirë apo mundësi?

Haradinaj bëhet i fuqishëm aty ku nuk ka numra të mjaftueshëm dhe ku nuk ka opozitë të artikuluar dhe unike. Gjithçka varet nga 500K zemrat e pretenduara të Vetëvendosjes. Haradinaj duket se është gati për sfidën, e me gjasë edhe valixhet duhet ti ketë gati!

Ku e mori vetëbesimin Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të pretendojë pozitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit?

Sondazhet nuk ja mbështesin shpresën apo thënë më mirë shpresën që ai të jetë sërish i pari i qeverisë. Në rastin më të mirë ato nuk tregojnë që mbështetja për të, të jetë mbi 9%, sa pritet të jetë përqindja e elektoratit që mund ta votojnë atë dhe koalicionin e tij me ish Ministrin e Transportit Fatmir Limaj. Në fakt, ky është versioni optimist.

Pas kthimit nga Uashingtoni ku mori pjesë në inaugurimin e Presidentit Trump dhe zhvilloi takime të rëndësishme ai dhe pjesëtarë të tjerë të opozitës, Haradinaj u shfaq ambicioz, luftarak duke theksuar edhe faktin se përfaqësuesit e qeverisë dhe koalicionit qeverisës, nuk patën ndonjë paraqitje mediatike apo takime të rëndësishme gjatë kësaj ceremonie dhe pas saj, mori guximin të paralajmërojë “rrëzimin” me votë të qeverisë Kurti dhe formimin e një qeverie nga ana e opozitës të cilën ai shpreson ta udhëheqë.

Ku e mbështetë këtë pretendim z. Haradinaj, i cili ishte edhe më herët Kryeministër i Kosovës, me po kaq përqindje votash, por mbi bazën e një koalicioni të detyruar, qoftë nga mungesa e “numrave”, përkatësisht ulëseve të mjaftueshme të LDK për të formuar qeverinë. Bashkë me votat e minoriteteve, sidomos 10 votat e garantuara nga dokumenti i Ahtisarit, për komunitetin serb dhe me 9% e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, llogaritet që opozita e bashkuar (eventualisht) mund të fitojë mandatin për të formuar qeverinë në raundin e dytë, pas dështimit të Vetëvendosjes të mbledhë “numrat” e domosdoshëm për të formuar qeverinë.

Edhe mandatin e dytë, z. Haradinaj e fitoi në rrethana kur koalicioni nuk i mblidhte dot numrat, kështu që paketa e domosdoshme e votave plus kontrolli mbi deputetët e komunitetit serb, ja sollën sërish mundësinë të jetë kryeministër.

Për vëzhguesin e jashtëm, i cili nuk e njeh historinë e zgjedhjeve dhe formimit të qeverive në Kosovën e pasluftës, mund të duket absurde që me 9% të fitohet mandati, por në fakt, kësaj radhe Haradinaj ka edhe një as të fortë nën mëngë, në fakt ka emëruesin e përbashkët të LDK dhe ndoshta edhe PDK, ka korporatat dhe mediat e fuqishme, influencer dhe OJQ të ngritura mbi bazën e interesave shumë të ngatërruara të biznesit në relacionet Serbi, SHBA, Rusi, Turqi etj.

Në përurimin e Presidentit Trump, ishte edhe një biznesmen i cili është parë, i ulur edhe me liderët e opozitës aktuale në Kosovë. I njëjti është thirrur edhe në tubimet e LDK, e cila pretendon të ketë programin më atraktiv për bizneset, përfshi edhe privatizime të fuqishme në sektorin publik.

Pra, me shumë gjasë, Shkëlqim Devolli, vizitoi SHBA-në me rastin e inaugurimit të Presidentit Donald Trump, jo vetëm për bizneset e tij, por edhe për të lobuar për opozitën, për ndryshime. Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi disa takime të nivelit të lartë me zyrtarë amerikanë, përfshirë senatorët Ted Cruz dhe Dave McCormick, guvernatorin e Texasit Greg Abbott, dhe kongresistin Peter Sessions, Ambasadorin e ardhshëm amerikan në NATO, Matthew Whitaker, shefin në ardhje të CIA-s etj. Ai gjithashtu kërkoi vazhdimin e vëmendjes së administratës amerikane për Kosovën dhe rajonin, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe SHBA, duke bërë të qarta interesat politike.

Kur është e qartë se politika është interes, së paku në demokraci dhe një baraspeshë e interesave të bizneseve dhe qytetarëve, përkatësisht individëve dhe kombit, atëherë, nga jashtë Kosovës ka mjaft zëra që ky koalicion kishte me qenë preferencë e tyre dhe duket se korporata Devolli do të caktonte liderin e këtij koalicioni, që ajo mendon se ka kapacitet t’i kundërvihet politikës e pse jo edhe ideologjisë nacionaliste e majtiste të Vetëvendosjes.

Gjatë dy mandateve të tij, Haradinaj dha dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Të dyja mandatet i kishte marrë me një pako votash, të cilat në rrethana të tjera do të ishin irelevante. Tani, ai pretendon sërish se është i preferuari i ndërkombëtarëve, sidomos i SHBA, krahasuar me Albin Kurtin, i cili sipas tij “po na prishë me ndërkombëtarët.”

Lidhjet e fuqishme me lobin ushtarak, prirjet për  udhëheqje autoritare, si duket mund të jenë sërish me interes për opozitën e shkapërderdhur kosovare e cila, realisht pa kapacitetet e sigurisë të disa ish komandantëve të UÇK dhe pa disa korporata të fuqishme, vështirë se mund të udhëheqnin as partitë e tyre e lëre më institucionet e vendit.

Pra, nëse Vetvendosje nuk arrin të fitoj e vetme mbi 50% të votave, mundësia e një qeverie të opozitës është edhe teknikisht reale. Por sa është reale politikisht?

A do të ketë përkrahjen e bizneseve të cilat në kohën e qeverisë Haradinaj 2 përfituan mjaft lehtësime. A do ta ketë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar sidomos lobit ushtarak në SHBA dhe së fundmi a do të ketë ndikimin që e kishte dikur në lista Serbska, nëse e njëjta sërish dominon bindshëm te deputetët e komunitetit serb?

Sido që të jetë, interesa po aq të fuqishme, me gjasë kishin bërë që Haradinaj të dorëzohej në Gjykata duke dorëzuar mandatin. Mandati i tretë prapë paraqitet si mundësi por edhe si sfidë për të.

Haradinaj tashmë ka një përvojë të madhe në politikë dhe njeh fare mirë konjukturat dhe mekanizmat e politikës globale e rajonale të cilat lëvizin edhe skenën politike në Kosovë. Ambicia e tij është e fuqishme, sfidat janë të dukshme. Haradinaj bëhet i fuqishëm aty ku nuk ka numra të mjaftueshëm dhe ku nuk ka opozitë të artikuluar dhe unike. Gjithçka varet nga 500K zemrat e pretenduara të Vetëvendosjes. Haradinaj duket se është gati për sfidën, e me gjasë edhe valixhet duhet ti ketë gati!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *