Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar raportin e BERZH për periudhën 2022-2023 duke përmendur rritjen e pagave dhe konsumit. Sejko u shpreh se inflacioni në trajektore rënëse kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
“Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe
Sipas tij, detyra e politikëbërëve është t’i njohin sfidat me të cilat përballen vendet dhe të kujdesen për minimizimin e pasojave të tyre.
“Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve” – tha Sejko.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova u shpreh se janë kryer investime në 400 projekte në vitin 2022. Për vitin që lamë pas ajo thotë se u shënua rekord për peshën e sektorit privat në aktivitetet financiare.