Procesi i votimit në të gjithë vendin thuajse ka përfunduar, por tashmë gjithçka mbetet në dorë të numëruesve.
Sipas një analize të BIRN-it, pjesëmarrja e lartë në kryeqytet në zgjedhjet e së dielës, pritet të jetë vendimtare për përcaktimin e mazhorancës së re parlamentare.
Shqiptarët presin të mësojnë emrin e fituesit të zgjedhjeve parlamentare të së dielës pasi votuesit në Tiranë hodhën një numër veçanërisht të lartë votash duke sfiduar pandeminë e koronavirusit të ri.
Sondazhet kryesore të kryera nga vrojtues të ndryshëm sugjerojnë se opozita me Partinë Demokratike mund të jetë përfituesja e madhe e rritjes së pjesëmarrjes në zgjedhje, veçanërisht në Qarkun Tiranë, por edhe në bastione historike të PS-së, si Fieri dhe Korça.
Të dhënat për pjesëmarrjen finale nuk janë ende të disponueshme por të dhënat e orës 18:00 sugjerojnë se në Qarkun Tiranë janë hedhur 20-30 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2017.
Dita e zgjedhjeve kaloi përgjithësisht e qetë dhe u regjistruan vetëm disa incidente të vogla.
Pjesëmarrja e lartë u përshëndet nga ambasadorët që kaluan ditën duke udhëtuar nëpër të gjithë Shqipërinë për të vrojtuar ecurinë e procesit të votimit.
Ambasadorja Yuri Kim e Shteteve të Bashkuara bëri thirrje që udhëheqësit politikë të mos nxitohen të shpallin rezultate por “të pranojnë gjykimin e votuesve pas përfundimit të numërimit”.
Numërimi i votave pritet të nisë pas mesnate ndërsa rezultatet e para priten gjatë ditës së nesërme.
/Burimi: BIRN/