Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij për investimet e huaja në Shqipëri, ka reaguar përmes një statusi në Facebook deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho.
Ligjvënësja shkruan se raporti është një skaner i vërtet i Shqipërisë. Sipas saj korrupsioni, informaliteti, kontratat PPP dhe favorizimet, i zmbrapsin investitorët e huaj që të investojnë në vendin tonë.
Postimi:
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit për Klimën e Investimeve 2022 është një skaner i Shqipërisë reale dhe jo asaj të propagandës së qeverisë.
Korrupsionin e shtrirë në çdo zyrë të shtetit – rasti më flagrant është megaafera e inceneratorëve, një piramidë korruptive që majën e ka në zyrën e kryeministrit.
Konkurrencën e pandershme – amnistia fiskale që penalizon biznesin e ndershëm, mungesa e transparencës dhe pasiguria se duke qenë zbatues i përpiktë i ligjeve mund të kesh sukses
Ekonomia informale – rreth 40% e ekonomisë është “në të zezë”, një faktor që zmbraps çdo investitor të huaj serioz
Kontratat PPP – të qepura sipas interesave të klientëve të qeverisë, me kosto kolosale që i ngarkohen qytetareve
Nuk mund të pritet përmirësim i klimës së biznesit përsa kohë qeveria u krijon terrenin për investime vetëm një grushti njerëzish pranë saj, duke hartuar ligje të posaçme për ta.
Nuk mund të inkurajosh investime të huaja nëse statusin e investitorit strategjik e ruan për familjarët e ministrave e militantët e fushatave.
Nuk je atraktiv për asnjë investitor serioz nëse i kanalizon paratë e taksapaguesve në skema mafioze, ndërsa 74.7% e popullsisë në moshe pune rrezikojnë të bien në varfëri.
Kjo nuk është Shqipëria që duam, ndaj lufta kundër korrupsionit është mënyra e vetme për të rikthyer llogaridhënien, fundin e pandëshkueshmërisë dhe funksionimin e shtetit ligjor për të gjithë.