Raporti i KiE-së për Shqipërinë/ Tabaku: Pasqyrë e rëndësishme për procesin e integrimit në BE

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje raportin e Komsionit Europian, lidhur me progresin e vendit tonë.

Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se Raporti i Zgjerimit janë dokumente të rëndësishme në lidhje me shëndetin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe gjendjen e BE.

Sakaq shton se Shqipëria e ka mbështetjen e Europës por qeveria duhet të bëjë një kthesë të fuqishme në lidhje me reformat.

“Progres raporti dhe Raporti i Zgjerimit janë dokumente të rëndësishme në lidhje me shëndetin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe gjendjen e BE. Raporti i Zgjerimit konfirmon se edhe në kushtet e luftës në Ukrainë dhe sulmit të Rusisë vendet e Bashkimit Europian vazhdojnë të jenë të unifikuar në vazhdimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Një hap pozitiv në një klimë jo dhe aq pozitive për kontinentin. Shqipëria vazhdon të ketë si përherë mbështetjen dhe praninë e Europës në rastet e vështira. E pati këtë gjatë tërmetit, pandemisë dhe më herët edhe gjatë krizave të tjera që kanë goditur vendin. Në kushtet në të cilat ndodhet Europa sot, kur një luftë po zhvillohet prej mbi 8 muaj është shumë e kuptueshme dhe e pranuar krijimi i këtij këshilli. Kjo nuk pengon procesin e integrimit të Shqipërisë, as e zëvendëson, por forcon pozitat e Europës dhe jo vetëm në rajonin tonë dhe veçanërisht Shqipërinë. Të mos harrojmë është një luftë mes Demokracive dhe Autokracisë. Vullneti i fortë politik për të krijuar një historik të zbatimit të reformave nuk ka arritur ende të demonstrohet. Korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz.

Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Natyrisht raporti përmend arrestimin e ish ministrit të brendshëm, por për vendin më të korruptuar në Europë, për një çështje si e inceneratorëve dëshmuar dhe faktuar nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët për 430 mln euro nga buxheti i shtetit, për koncesionet dhe PPP ka një rrugë të gjatë për të bërë SPAK për të krijuar besueshmëri. Hetime kriminale të natyrës Financiare, përmenden në raport, janë udhëhequr nga SPAK që kanë treguar përfshirjen e politikanëve dhe anëtarë të lartë të institucioneve shqiptare. Edhe këtu referenca është për aferën e inceneratorëve. Një aferë e dorëzuar në SPAK më herët nga PD (tetor 2020) dhe më tej vazhduar edhe nga PD në Komisionin Hetimor të Inceneneratorëve. Një aferë që unë personalisht, si çdo shqiptar, shpresoj dhe uroj por edhe nxis që SPAK t’i shkojë deri në fund”, tha ajo.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *