Ndërsa Komisioni Hetimor është duke raportuar gjetjet për shkeljet që sipas tyre ka bërë presidenti Meta, ka ardhur dhe reagimi i parë nga presidenca, përmes zëdhënësit Tedi Blushi.
Blushi shprehet se presidenca nuk ka asnjë koment që merren nga një parlament njëpartiak, dhe se e gjitha kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga vjedhja e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Blushi deklaron me siguri të plotë se presidenti Meta do të qëndrojë në detyrë deri në datën 24 korrik 2022.
Reagimi i plotë i Blushit:
Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar.