Raporti për shpopullimin e Shqipërisë/ Meta: Të bëjmë gjithçka që shqiponjat të kthehen në folenë e tyre

Sot Komisioni Ekonomik për Evropën në Kombet e Bashkuara ka publikuar një raport ku tregohet se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020.

Pas publikimit të ketij raporti, ka reaguar presidenti Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale. Kreu i shtetit tha se në vitin 2020, mesatarja e të larguarve ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë. Ai bëri thirrje për të rritur përpjekjet që të ndalet shpopullimi, duke ndërmarrë programe konkrete e realiste të cilat do t’u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve, e sidomos të rinjve të këtij vendi.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.

Një tjetër raport, kësaj here i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, bën me dije se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë.

Sipas këtyre konkluzioneve mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë.

Ndaj duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve.

Të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *