Në Shqipëri çdo gjë mund të ngjasë dhe mund të bëhet realitet kur e gjen gjuhën me politikanët në pushtet dhe i paguan ata…
Kjo gjë ka ndodhur edhe me pronën publike, pasuri të popullit shqiptar, të vetmin për nga lloji i tij në gjithë vendin, Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ish-Spitali Ushtarak.
Edhe pse një aset mjaftë i rëndësishëm kombëtar, i cili u shpëton jetën çdo ditë me dhjetëra shtetasve shqiptarë dhe që trajton brenda tij pacientë me probleme nga më të rëndat për jetën, ky spital sot është i zaptuar nga një kompani private.
Hapësirat e një pjese të Spitalit të Traumës dhe ambientet e jashtëme të tij, janë gllabëruar sot nga subjekti privat “Spitali Amerikan Sh.a.” me administrator Klodian Allajbeun.
Por nuk është faji i kompanisë private që ka gjetur “shesh dhe ka bërë përshesh” në ambientet e Spitalit të Traumës, pasi është qeveria dhe disa ministri që përgjigjen për këtë pronë të rëndësishme publike dhe që duhet ta marrin në posedim.
Në dy ditë radhazi, “Priza.al” ka sjellë me foto, video dhe audio batërdinë që bëhet me ambientet publike të këtij spitali, që janë vënë të gjitha totalisht jo vetëm në dispozicion, por edhe janë kthyer në një biznes të dytë për “Spitalin Amerikan 1”.
Vetëm nga shfrytëzimi i parkimeve që i përkasin shtetit dhe janë pronë e Spitalit të Traumës, konkurrenti privat, “Spitali Amrikan” fiton plot 36 milionë lekë (të reja) në vit, shumë e mjeftueshme për të ndërtuar një parkim nëntokësor me disa kate.
Por sot “Priza.al” po ju sjell të dhënat dhe dokumentet bazuar mbi një raport të disa viteve më parë të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka hedhur dritë mbi këtë uzurpim dhe shfrytëzim të pronës publike nga një subjekt privat.
Raporti i KLSH-së
“Spitali Amerikan” ka zaptuar prej 11 vitesh dhe po shfrytëzon për interesa private sot mbi 1467 m2 sipërfaqe ambientale të ish-Spitalit Ushtarak. “Spitali Amerikan” ka në përdorim 1963.7 m2 ambiente brenda ish-Spitalit Ushtarak, por paguan qira sipas kontratës, vetëm për 496 m2.
Skandali është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport të datës 28 Dhjetor 2015, KLSH konstaton për të disatën herë raportin abuziv mes Spitalit Ushtarak dhe Spitalit Amerikan, ku ky i fundi ka përvetësuar, në shkelje të ligjit, ambientet e spitalit publik.
“Nga auditimi konstatohet se, nga SUT janë kryer matje të sipërfaqeve, të cilat përdoren nga “S…… A”, referuar kontratës së qirasë së lidhur më datë 28.08.2013, duke konkluduar që ky subjekt përdor ambiente brenda spitalit gjithsej 1963.7 m2 , nga të cilat vetëm 496 m2 i janë dhënë me qira.
Për këto ambiente, SUT i është drejtuar subjektit “S…A”, duke i njoftuar për sipërfaqet që ai përdor më tepër, por dhe detyrimin për periudhën nga 26.07.2011 në shumën 11,222,689 lekë”,- thuhet në raportin e KLSH.
Zhdukja e dokumenteve
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton gjithashtu, mungesën e dokumentacionin të monitorimit të kontratës si dhe procesverbalet e hollësishme të dorëzimit të objektit, me sa duket për të fshehur shkeljet.
“Nga auditimi u konstatua se, praktika e dhënies më qira të subjektit “S……. A.” (ish “U…….-A.” sh.a), nuk ka të gjithë dokumentacionin ligjor të nevojshëm për monitorimin e kontratës, si: procesverbalet e hollësishme për mënyrën e dorëzimit dhe të marrjes në dorëzim të objektit duke përshkruar në detaje gjendjen fizike të objektit deri në fotografim të çastit, veprim në kundërshtim me VKM nr. 529, datë 08.06.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore” i ndryshuar, Kreu VI ‘Monitorimi i kontratave’,- ndryshuar me VKM nr. 54, datë 05.02.2014, i ndryshuar”,- vijon raporti.
Rekomandimi
Në raport, KLSH rekomandon lirimin e ambienteve të tepërta nga Spitali Amerikan si dhe plotësimin e dosjes së subjektit në fjalë. “Për sa më sipër, rekomandojmë: Nga Spitali Universitar i Traumës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, si ministria përgjegjëse për administrimin dhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në cilësinë e pronarit, të kërkohet zgjidhja e statusit të sipërfaqeve të tepërta që administron subjekti “S..A”, deri në lirimin e ambienteve ose lidhjen e kontratës për ambientet e shfrytëzuara jashtë kontrate.
Nga SUT, të merren masa të menjëhershme për plotësimin e dosjes së subjektit ‘S.. A.’, me të cilin janë lidhur kontrata qiraje, inventarizimin dhe arkivimin e tyre, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9451, datë 06.11.2003 ‘Mbi arkivat’, neni 7 dhe të VKM nr. 529, datë 08.06.2011 ‘Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore’,- i ndryshuar dhe VKM nr. 54, datë 05.02.2014 ‘Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore’, i ndryshuar”,- thuhet në raport.
Po ashtu KLSH, kërkon që të merren masa që të plotësohen praktikat e monitorimit të kontratave të qirasë me dokumentacionin e kërkuar nga VKM nr. 54, datë 05.02.2014 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”,- i ndryshuar.
Ndërtimet pa leje
Në raportin e Kontrollit të Lartë Shtetit thuhet se Spitali Amerikan, pasi ka marrë ambientet me qira, ka ndërtuar pa leje.
“Nga auditimi konstatohet se, subjekti ‘S.. A’ përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2 , të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leje ndërtimore apo kontratë.
Po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2 , për të cilën nuk ka dokumente në SUT, çka konfirmohet dhe nga kartela e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së 6 datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo “ndërtime të paligjshme”. Për këto ambiente ky subjekt nuk paguan qira”,- thuhet në raport.
Ggritja e grupeve të punës
Referuar kësaj situate, KLSH kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, të merren masat për ngritjen e një grupi pune, i cili të bëjë përcaktimin e statusit juridik të këtyre pronave dhe pretendimet e shtetit ndaj tyre.
“Nga Spitali Universitar i Traumës, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të merren masat e duhura për evidentimin dhe saktësimin e këtyre ndërtimeve, si dhe të informojë ministrinë përgjegjëse”,- rekomandon raporti i KLSH-së.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016