RAPORTI: Shqiptarët, të dytët në Europë pas zviceranëve që vetë-ndihen më mirë me shëndet

Shqiptarët mund të jenë të pakënaqur me sistemin shëndetësor dhe ta paguajnë më shumë se të gjithë nga xhepi, por renditen populli i dytë në Europë, pas zviceranëve që perceptojnë se ndihen mirë me shëndet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, gati 83% (80.9) e shtetasve shqiptarë mbi 16 vjeç deklarojnë se vetë-perceptojnë se janë mirë ose shumë mirë me shëndet, nga 69% që është mesatarja europiane.

Shifra i referohet vitit 2020. Meshkujt e kanë këtë perceptim më të lartë, me 84.7% të tyre që pohojnë se ndihen mirë ose shumë mirë me shëndet, përkundrejt femrave me 80.9%.

Më mirë se shqiptarët vetë perceptojnë se ndihen vetëm zviceranët, me 83.3%. Edhe për Zvicrën shifra është e vitit 2020.

Në rajon, më keq ndihen serbët, me vetëm 63.6% të popullsisë që vetë perceptohet si mirë apo shumë mirë me shëndet, Mali i Zi me 70.3%, Maqedonia e veriut (76.6%). Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Në fakt, vendi ka ende një popullsi relativisht të re në moshë. Shqipëria ka popullsinë e katërt më e re në Europë, me rreth 38 vjeç, pas Kosovës (30.5 vjeç- viti 2020), Turqisë (32.8) dhe Islandës (36.7).

Në rajon, popullsia me moshën më të vjetër është në Serbi (44 vjeç), ndërsa dhe shtetet e tjera si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po i afrohen kufirit të 40 vjeç.

Edhe të dhënat e Eurostat tregojnë se perceptimi i mirë për shëndetin është i lidhur me këtë ndjesi te moshat më të reja. 96.5% e grupmoshës nga 16-44 vjeç ndihet mirë me shëndet në Shqipëri, përkundrejt 88% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Por edhe 45.6% e të moshuarve mbi 65 vjeç deklarojnë se ndihen mirë, që është më e larta në rajon dhe mbi mesataren e BE-së prej 41%, por shumë më e ulët se në shtete si Zvicra (70%), Irlanda (68%), Holanda (64%), Suedia (64%).

Si e vetë-perceptojnë europianët shëndetin

Sipas Eurostat, në vitin 2021, në BE, pothuajse shtatë në dhjetë persona të moshës 16 vjeç e lart e vlerësuan gjendjen e tyre shëndetësore si të mirë ose shumë të mirë (69%). Perceptimi pozitiv i shëndetit ishte më i mirë tek meshkujt sesa tek femrat (72% e meshkujve krahasuar me 67% e femrave).

Ndër vendet anëtare të BE-së, përqindjet më të larta të popullsisë së moshës 16 vjeç e lart që e perceptojnë shëndetin e tyre si të mirë ose shumë të mirë u regjistruan në Irlandë (81%), përpara Greqisë (78%), Qipros dhe Luksemburgut (të dyja 77%) . Në anën tjetër të shkallës, Shtetet Anëtare të BE-së me përqindjet më të ulëta ishin Lituania (48%), Letonia dhe Portugalia (të dyja 50%).

Meshkujt kishin më shumë gjasa se femrat ta vlerësonin shëndetin e tyre si shumë të mirë ose të mirë në pothuajse të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së. Hendeqet më të mëdha shëndetësore gjinore u regjistruan në Letoni (9 pikë përqindje; pp), Rumani (8 pp) dhe Lituani (7 pp). Përjashtimi i vetëm ishte Irlanda, ku përqindja e femrave që raportuan se kishin shëndet të mirë ose shumë të mirë ishte pak më e lartë se pjesa e meshkujve (0.4 pp).

Në BE, në vitin 2021, përqindja e njerëzve që raportonin shëndet të mirë ose shumë të mirë u ul me moshën.

Hendeku shëndetësor gjinor u zgjerua me moshën: ai ishte më i ulëti për popullatat e moshës 16-24 vjeç dhe 25-34 vjeç (0,7 dhe 0,5 pp, respektivisht) dhe ishte më i larti për dy grup moshat më të vjetra: një hendek prej 6,3 pp për njerëzit e moshës. 75–84 vjeç dhe një hendek 5.0 pp për njerëzit e moshës 85 vjeç e lart.

Monitor

j.l./ dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *