Një raport i hollësishëm hetimor që konfirmon hapur abuzimet e mëdha që janë kryer në FSHF ndër vite, nga presidenti i saj aktual, Armando Duka, është përpiluar dy vite më parë nga Autoriteti i Konkurrencës.
Por duke qenë se Duka i FSHF-së ka lidhje të forta dhe paraja nuk mungon, nga faqja e AK-së, ky raport është fshirë, në një kohë që falë gjurmës së mbetur në internet, “Pruiz.al” ka mundur që të sigurojë një kopje të tij, në kohën kur është përpiluar dhe paraqitur nga vet anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës.
Dokumentet e raportit të AK-së, faktojnë abuzimet e Armando Dukës në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke filluar që me biletat e gjer tek shitjet e të drejtave të transmetimit tek kompania ku ai është bashkaksioner.
Në raportin e këtij Autoriteti që është firmosur dhe nga Helidon Bushati, që vinte nga radhët e Partisë Demokratike, pohohen qartësisht abuzimet e Armando Dukës në detyrën si President, duke favorizuar kompanitë e tij, qoftë për marketing, ashtu dhe në dhënien e monopolit të së drejtës së transmetimeve sportive.
Kjo pozitë dominuese sipas Autoritetit të Konkurrencës, ka sjellë dëme të pallogaritshme, pasi ka cenuar tregun e lirë dhe ka detyruar qytetarët shqiptarë të paguajnë më shtrenjtë, qoftë biletat sportive, ashtu dhe abonimet për të ndjekur në televizor ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
(Foto: Raporti i hartuar nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës)
Pazare shumëmilionëshe me të drejtat televizive
FSHF me në krye Armando Dukën, kishte përzgjedhur vetëm një operator për shitjen e të drejtave televizive për transmetimin e ndeshjeve të futbollit të “Kategorisë Superiore” dhe për “Kupën e Shqipërisë”, në kundërshtim flagrant me praktikat ndërkombëtare dhe në konflikt flagrant interesi.
“Kompania ‘DIGITALB’ kishte fituar nga FSHF-ja, të drejtën e transmetimit të ndeshjeve zyrtare të “Kategoria Superiore” dhe “Kupa e Shqipërisë” brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë për periudhën, gusht 2015 – gusht 2018.
‘DIGITALB’ e kishte blerë këtë të drejtë edhe për periudhën qershor 2018 – qershor 2022. ‘DIGITALB’ kishte fituar nga FSHF edhe të drejtën ekskluzive të transmetimit të këtyre ndeshjeve në satelit dhe/ose dixhitale tokësore, PPV, Pay Tv, Kabllore, IPTV, OTT, me ose pa pagese, mobile dhe internet. Oferta e DIGITALB për sezonet 2015-2018 ishte 1.5 milionë euro, ndërsa për sezonet 2018-2022 ishte 1.9 milionë euro”,- thuhej në raportin e AK-së.
Kontrata e FSHF-së me afate abuzive
FSHF ka kontraktuar vetëm një operator për të gjitha kontratat, me një afat kohor deri në 4 vjet, një kohë që tejkalon afatin 3-vjeçar të parashikuar në praktikat ndërkombëtare.
“Kontrata e licencimit e dhënë për 3 dhe 4 vjet (të njëjtit operator) bie në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare. Ekskluziviteti i një kohëzgjatjeje më të gjatë dhe për një gamë më të gjerë të të drejtave mund të kufizojë konkurrencën duke përjashtuar operatorët e tjerë në tregun e rrjedhës së poshtme, aq më tepër kur kemi të bëjmë me operator me pozitë dominuese në të dy tregjet.
Dhënia e ekskluzivitetit absolut në aspektin e fushëveprimit dhe kohëzgjatjes të të drejtës së transmetimit tek një blerës i vetëm kufizon tregun”,- thuhet më tej në raport.
Si Armando Duka ia shiti transmetimet kompanisë së tij
Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se, Armando Duke (me detyrë presidentin e FSHF-së), i kishte shitur transmetimet televizive në emër të institucionit të FSHF-së kompanive që kontrollon po vetë.
Ky është një rast i paprecedentë dhe sfidë për prokurorinë. Armand Duka, zotëron 9.23% të aksioneve me shoqërinë “DIGITALB”, me të cilën ka lidhur të gjitha kontratat për të drejtat televizive. Jo vetëm kaq. Duka ka edhe 22% të aksioneve tek “AMA Caffee”, e cila është sponsor i FSHF-së nga ana tjetër.
“Nga materiali administruar rezulton se ka një ndërlidhje të interesave pasurore të përfaqësuesve ligjore të FSHF me pjesëmarrjen e tyre në aksionet e shoqërisë DIGITALB. Nga extratet e QKB, rezulton se shoqëria A.I.B.A, me aksionar të vetëm Z.Armand Duka, zotëron 9.23% të aksioneve në shoqërinë DIGITALB. Po ashtu, Z. Armand Duka, në shoqërinë sponsorizuese AMA Caffee (New Century), zotëron 22.5% të kuotës së kapitalit, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësuesi ligjor (Presidenti FSHF)”,- thuhet në raport.
‘Klani’ Duka dhe ‘DIGITALB’
Pas “AMA Caffe” dhe “DIGITALB”, qëndrojnë edhe personazhe të tjerë, të cilët përbëjnë klanin e “beut” të futbollit, Armand Duka.
“Sponsor i FSHF është AMA Caffe (emri zyrtar – New Century). Në këtë shoqëri, Z. Agim Zeqo zotëron 55% të kuotës së kapitali, i cili në të njëjtën kohë është edhe aksionar i DIGITALB. Edhe shoqëri tjetër sponsorizuese, Union Bank, ka lidhje me subjekte të tjera te cilët janë aksionarë të DIGITALB.
Në shoqërinë Union Bank SHA, Z.Edmond Leka dhe Z. Niko Leka, zotërojnë respektivisht 1.77% të aksioneve, ndërkohë që këta dy individë janë zotërues në mënyrë të drejtpërdrejtë të 35% të aksioneve secili tek shoqëria Union Grup SHA, dhe janë zotërues 42.5% të kuotës së kapitalit secili tek shoqëria Arch Investor SHPK dhe zotërojnë më mënyre indirekte, nëpërmjet shoqërisë Union NET, nga 35% të kapitalit secili të shoqërisë Union Distribution Servis Albania SHPK.
Më mënyrë direkte dhe indirekte, Z. Edmon Leka dhe Z. Niko Leka, zotërojnë aksione në shoqërinë DIGITALB SHA dhe UNION BANK SHA”,- thuhet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës.
Si i bllokon Duka kompanitë rivale të reklamohen në stadium
Autoriteti konstaton se kontratat e lidhura midis FSHF dhe DIGITALB, përkatësisht kontrata me nr. 1209 prot., datë 15.09.2015, dhe kontrata me nr. 1001 prot., date 18.09.2018, në pikën 4.3 të tyre citojnë:
“Reklamat e klientëve të Digitalb, që janë konkurrentë të drejtpërdrejtë të sponsorizimeve të përgjithshëm të FSHF nuk kanë të drejtë të transmetohen gjatë pjesës së parë dhe pjesës së dytë të ndeshjes.
Ndërsa blloku publicitar i klientëve që nuk konkurrojnë sponsorët e përgjithshëm të FSHF do të transmetohen në një bllok të veçantë publicitar.
Kjo dispozitë përbën një kufizim të reklamimit të aktivitetit të ndërmarrjeve që janë konkurrent të sponsorëve të FSHF, duke vendosur në kuptim të nenit 9, pika 2, gërma (a), kushte të padrejta tregtimi”,- thuhet në raporton e përgatitur nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, ku duhet theksuar është firmosur dhe nga përfaqësuesit e PD.
Detyrat e lëna nga Autoriteti i Konkurrencës
Nisur nga dokumentet që Armando Duka, është aksionet te “DigitAlb” dhe në të njëjtën kohë dhe President i FSHF që shet të drejtat e transmetimit, Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar që të shmang çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore.
Kjo midis sponsorizuesve të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë shoqërisë DIGITALB, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese.
Anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës kërkojnë detyrimin e FSHF për shmangien e çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis përfaqësuesve ligjore të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë shoqërisë DIGITALB, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese. Por, pavarësisht që kanë kaluar dy vitet nga raporti, situata nuk ka ndryshuar edhe sot.
Raporti: uploads/2020/05/Vendimi-per-FSHF-Autoriteti.pdf
/Priza.al/