Raste të dyshuara në vend për linë e majmunit, Manastirliu: Kanë mbërritur testet e para, testimi do kryhet në…

Kanë mbërritur në Shqipëri testet e para për diagnostikimin e rasteve të dyshuara me linë e majmumit apo kontakteve të tyre. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu vizitoi sot laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik, ku bëri me dije se testimet për linë e majmunit do të kryhen në Shqipëri.

“Në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik tashmë ne kemi bërë të mundur që për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, të kemi dhe testet specifike në këtë laborator. Pra, do të kemi mundësi që pikërisht në këtë laborator, pa i çuar në laboratorët e referencës, të mundet të testojmë raste të dyshuara dhe gjithashtu kontaktet e dyshuara të rasteve”, bëri me dije Manastirliu duke shtuar se bashkëpunimi me laboratorët e referencës do të vijojë.

Duke folur për modernizimin e laboratorit të ISHP, Manastirliu bëri me dije se pritet që të forcohen kapacitetet me një aparaturë moderne për sekuencimin e genomit, teksa foli për masterplanin e ri transformues për Institutin e Shëndetit Publik.

“Deri në vjeshtë ne duam që të kemi gjithashtu një tjetër aparaturë moderne në ISHP, që është sekuenciatori genomik. Pra do të kemi mundësi që në këtë laborator të mund të sekuencojmë genomin dhe është një ndër proçedurat që të gjithë laboratorët e referencës e kanë. Ndërkohë që me Institutin e Shëndetit Publik, jemi duke punuar për të përfunduar edhe masterplanin e të gjithë korpusit të Insititutit të Shëndetit Publik, përfshirë edhe godinën qendrore dhe një godinë të re që do të jetë kulla e laboratorëve, duke përfshirë nga laboratorët bazë, kimik, biokimik, gjithashtu laboratorët e virologjisë dhe mikrovirologjisë. Është projekti ynë më ambicioz që ne kemi për ISHP-në”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën epidemiologjike ku ditët e fundit është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid19, Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të vijojnë të vaksinohen.
“Ashtu sikurse edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alertuar, do të kemi edhe një rritje të rasteve. Vjeshta sigurisht që do të vijojë që të ketë sfidat e saj në raport edhe me rastet covid, në raport edhe me variantet e reja. Por vaksinimi është fjala kyçe. Ne do të vijojmë proçesin e vaksinimit. Do të vijojmë që të jemi në të gjithë territorin. Njesitë e lëvizshme tashmë po bëjnë një punë fantastike në gjithë territorin, duke vijuar vaksinimin derë më derë dhe duke kapur pikërisht ato xhepat e popullatës që ende nuk janë vaksinuar me dozën e tretë. Ndërkohë që ne kemi të miratuar dhe dozën e katërt”, tha Manastirliu.

Duke folur për monitorimin e situatës për linë e majmunit, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini tha: “Aktualisht kemi sërish një survejancë e angazhuar siç është ajo e lisë së majmunit, duke shtuar kapacitetet diagnostike në Institutin e Shëndetit Publik dhe për më tepër diagnoza kryhet në vend, pavarësisht se ne kemi vazhdimisht komunikim me netëorkun e laboratorëve të referencës në Europë, për të konfirmuar diagnozën”.

Sipas Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Shqipëria vlerësohet me risk të ulët përsa i përket lisë së majmunit. Vendet Europiane tashmë janë në alert, sepse janë më shumë se 29 vende ku janë konstatuar më shumë se 1700 raste të lisë së majmunit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *