Aktivistë, qytetarë të ndryshëm dhe figura publike, kanë thirrur nesër një protestë në Tiranë para kryeministrisë, në lidhje me rritjet më të fundit të të gjitha çmimeve, si dhe për të parandaluar rritjen e mundshme të çmimit të energjisë.
Zbulohet logoja e protestës që do të zhvillohet nesër para Kryeministrisë, ku qytetarët do të mblidhen për të ngritur zërin ndaj rritjes së çmimeve të shportës, bukës, kafes, dritave dhe karburantit.
E paralajmëruar prej ditësh nga përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe qytetarëve të thjeshtë, nesër do të mblidhen në orën 17:00, për të kërkuar llogari nga qeveria, e cila vetëm pak javë pas betimit po përballet me reagimin e parë të qytetarëve, të cilët do të duhet të paguajnë më shumë për jetesën e tyre.
“Ja ashtu rastësisht! Kam një punë dhe rruga më bie nga: Kryeministria të mërkurën, ora 17:00”,- shkruhet në poster, ndërsa fjalia shoqërohet edhe me disa simbole të produkteve, çmimet e të cilave janë rritur.
Megjithatë nuk dihen ende shumë detaje nga protesta, sa orë do të zgjasë, apo cila do të jetë forma e saj, ndërkohë nga Policia e Shtetit nuk ka asnjë reagim. Deri më tani, të gjitha tubimet e mbajtura janë shpërndarë me pretekstin e pandemisë së koronavirusit, por nuk dihet nëse e njëjta “kartë” do të përdoret edhe nesër nga forcat e rendit.
Por çfarë ka ndodhur në vend që ka nxitur reagim popullor?
E gjitha nisi me rritjen e çmimit të bukës me 10 lekë. Më pas u paralajmërua rritja e çmimit të kafes, e ngadalë u shtrenjtuan edhe produktet e shportës.
“Vula” për të protestuar iu vu kur, kryeministri Edi Rama deklaroi se qytetarët duhet të përgatiten krizën energjetike; rritjen e çmimit të gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80% dhe të naftës.
Rama tha se, kjo krizë do prekë jetën e familjeve dhe bizneseve, por qeveria do u qëndrojë pranë shtresave në nevojë, biznesit të vogël dhe konsumatorëve familjarë. Megjithatë premtimi i tij duket se nuk i ka qetësuar qytetarët, të cilët shfaqen të vendosur për të protestuar, kësaj here pa u thirrur nga asnjë parti.
/Priza.al/