Duket se problemet që kanë shqiptarët me njëri-tjetrin në Britani, po mundohet ti zgjidhin në të gjitha mënyrat në vendin tonë.
Vendosja e eksplozivit në një biznes në qytetin e Durrësit gjatë mëngjesit të sotëm, mendohet se është një mesazh për pronarin, pasi djali i tij mendohet se i ka pasur një borxh të pashlyer autorit të vendosjes së lëndë plasëse.
Policia ka mundur të zbulojë autorin e vendosjes së eksplozivit dhe bëhet fjalë për 31-vjeçarin nga Burreli Dardan Kadiu, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur një sasi të vogël lëndë plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Dyshohet se ngjarja vjen si pasojë e konfliktit mes Kadiut dhe pronarit të objektit 58-vjeçarit Shaban Aga. Përplasja nisi për shkakun se i biri i Agës, mendohet se i ka një borxh të pashlyer 31-vjeçarit. U raportua se borxhi ndaj Dardan Kadiut, i biri i 58-vjeçarit ja ka marrë në Angli dhe nuk ia ka kthyer më.
Ky rast hap një kalvar të tërë ku familja merr pasojat e veprimeve që kanë bërë të afërmit jashtë vendi. Përdorimi i anëtarëve të familjes si pengje apo edhe mesazhe të drejtuar ndaj tyre është një praktikë e zakonshme në tregtinë e drogës, sipas trafikantëve dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit.
Priza.al do sjell një rast të ngjashëm por që pati një fund edhe më tragjik, siç është rastin i Jan Prengës. I cili u rrëmbye për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine nga vëllai i tij, dhe më pas u torturua deri në vdekje në një resort në qytetin e Durrësit. Autorët e krimit, pasi e vranë Prengën zhdukën trupin e tij, dhe akoma sot nuk është gjetur.
Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz. Autorë të porositjes se rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së trupit të tij, sipas hetimeve të Policisë janë vëllezërit Hajri.
Astrit Prenga vëllai i viktimës, mendohet se u ka vjedhur një sasi prej 283 kilogramësh kokainë në Angli vëllezërve Hajri, të cilët në formë hakmarrje i vranë të vëllain. Për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës janë arrestuar Leonard Hajri, Bajram Hajri, Elton Hajri, Olsi Turja, Ardian Doçaj dhe Festim Bixhdili i cili është i dyshuari kryesor që ka marrë dhe zhdukur trupin e pajetë të Jan Prengës.
Detaje nga ngjarja
Dëshmitarët okularë zbuluan se Janit i kishin zënë pritë në qytezë katër burra të maskuar. Pati një përleshje dhe ai u rrëzua përtokë dhe u paketua në një fuoristradë Range Rover ngjyrë e bardhë, duke e lënë trotuarin të përgjakur.
Siç ndodh shpesh edhe në vende të tjera të Ballkanit, tensionet brenda botës shqiptare të krimit shpesh rrjedhin në rrugë – por burrat e përfshirë janë përgjithësisht kriminelë të regjur. Dhe megjithëse rrëmbimi i Jan Prengës kishte shenjat e një operacioni kriminal të stërvitur, ai vështirë se ishte një shënjestër tipike e krimit.
Në janar 2020, një konteiner transporti ku gjendej një sasi kokaine u shkarkua në kalatën e portit të Portsmouth në Angli. Sipas dokumenteve gjyqësore që mbështeten në përgjime dhe të dhëna nga mbikëqyrjet në terren, konteineri u mor nga një grup shqiptarësh që ishin nënkontraktuar për të tërhequr ngarkesën e trafikuar nga moli. Këtij grupi iu pagua një komision në varësi të përmasave të ngarkesës – një marrëveshje tipike kjo në zinxhirin e furnizimit.
Gjithsesi, grupi dyshoi se ishte paguar më pak nga sa meritonte nga klienti i tyre, përshkruar në dokumentet gjyqësore si shtetas britanik. Anëtarët e grupit vendosën të mbajnë kokainën e konteinerit të Portsmouthit, – gjithsej 260 kilogramë – në shkëmbim të parave që ata besonin se i meritonin. Vëllai më i vogël i Jan Prengës, Astriti, ishte një figurë qendrore brenda këtij grupi. Pasi iku nga Shqipëria si djalë i ri, ai u përfshi në krim të organizuar, bashkë me një vëlla tjetër, Ndrekë Prengën, i cili gjendej në një burg britanik nën akuzën e furnizimit të kokainës.
Dy javë pasi ngarkesa e Portsmouthit u ndalua, Ndrek Prenga mori një telefonatë në burg nga një i burgosur në anën tjetër të planetit – Dritan Rexhepi. Të dy burrat e njihnin njëri-tjetrin, pasi kishin qenë në burg bashkë në Itali. Sipas dokumenteve gjyqësore, Rexhepi i kërkoi Ndrekës t’i dërgojë një mesazh të vëllait, Astritit: ngarkesa duhet të dorëzohet. “Mos bëni gabim të luani gjërat, pasi janë gjërat tona.”
Pak pasi këta të dy folën, Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz. Në një bisedë telefonike pas rrëmbimit, Rexhepi i tha Ndrek Prengës se Jani do të kthehej në shkëmbim të kokainës së humbur.
John Livanis i DEA ka folur aso kohe se shpesh familja mban kostot e gabimeve. Për shkak se bizneset ilegale të drogës apo dhe borxhet “nuk finalizohen me kontrata të firmosura – ato bëhen me shtrëngim duarsh/Priza.al