Real Madrid ka fituar për herë të pestë në histori Botërorin e Klubeve. Madrilenët mundën me rezultatin 5-3 në finale arabët e Al Hilal. Skuadra e Ancelottit u tregua më e saktë përpara portës, duke hipur në majën e botës.
Në stadiumin “Moulay Abdullah” në Rabat të Marokut, ndeshja nisi mirë për Real Madrid. Vinicius Junior në minutën e 13-të shënoi një kryevepër ndërsa 5 minuta më pas Valverde i dërgoi shifrat në 2-0. Në minutën e 26 Marega shkurtoi rezultatin në 2-1.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, me Benzema dhe Valverde që shënuan për 4-1 në minutat 54 dhe 58. Vietto në minutën e 63 shënoi për 4-2, teksa Vinicius për dopietën personale dërgoi rezultatin në 5-2 në minutën e 69. Sërish Vietto te Al Hilal në të 79 minutë shkurtoi rezultatin në 5-3.
Tanimë fituesit e Champions League në fuqi marrin edhe një tjetër trofe me vlerë, teksa dërgojnë në pesë numrin e trofeve të Botërorit të klubeve. Më parë Galaktikët e kanë fituar këtë trofe edhe në sezonet 2014-15, 2016-17, 2017-18 dhe 2018-19