Finalja e Botërorit të Klubeve mund të tingëllojë si një miqësore vere, duke parë rezultatin (5-3 në favor të Realit), por në Madrid pak përshtypje bën.
Kurora e tetë botërore tashmë është në kabinetin e pafundmë të trofeve të Realit. Një kurorë e tetë krejt e veçantë, sepse përkon me titullin numër 100 të “Los Blancos” në historinë e tyre shekullore. Për Realin e Madridit finalet nuk luhen, ato fitohen. Një shprehje që e gjemë sa herë që flitet për një finale ku gjenden dhe “Los Blancos”, e me siguri kështu do të vijojë gjatë siç është vërtetuar të shtunën në mbrëmje. Në 18 finalet e fundit, suksesi ndaj Al-Hilalit në finalen e Botërorit të Klubeve ishte suksesi numër 17 për “Los Blancos”, me humbjen e vetme në Superkupën e Europës përballë rivalëve të qytetit, Atletiko në vitin 2018.
E udhëhequr nga një Vinicius në formë të shkëlqyer dhe nga veteranët e pashtershëm Benzema, Kros, Modriç, Reali nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të fitojë finale, duke i bërë ato të duken shumë të thjeshta. Në finalen e madhe në Rabat (Marok) ka qenë një festival golash, që në fund kanë vlejtur titullin numër 8 në botë për Madridin. Dy herë Viniciusi, dy herë Valverde dhe njëherë Benzema kanë lënë gjurmën e tyre në finalen përballë Al-Hilalit, që ka meritën që rivalizoi me kampionët e Europës, duke gjetur madje tri herë rrugën e rrjetës. Por si shumë rivalë të tjerë para tij, edhe sauditët u janë nënshtruar “mbretërve” të Europës, tashmë dhe mbretër të botës.
ANÇELOTI – Suksesi ndaj Al-Hilalit në finalen e Botërorit të Klubeve ka qenë mjaft i veçantë dhe për trajnerin Karlo Ançeloti. Në mes të debatit nëse ai do të jetë apo jo trajner i “Los Blancos” në sezonin e ardhshëm – mendohet se ka firmosur me Brazilin – italiani e kishte bërë të qartë se e dëshironte me patjetër Botërorin e Klubeve. Në fund ia ka arritur, duke thyer dhe një rekord që kishte me Madridin. Në etapën e parë te Reali (2014), Ançeloti kishte fituar 4 trofe, ndërsa tani me sezonin në vijim e sipër ai numëron 5 trofe të fituar.
“Ishte një finale për t’u luajtur dhe për t’u fituar dhe ia kemi arritur. Mendoj se e kemi merituar plotësisht. Ajo që më vjen mirë është se po shoh shenja të dukshme përmirësimi dhe ky trofe do të na japë një shtysë më shumë për pjesën tjetër të sezonit. Shumë lojtarë të dëmtuar po na kthehen dhe këto janë sinjale pozitive”, ka thënë Ançeloti.
Trajneri i Realit ka folur dhe për bastin me Valverden dhe natyrisht të ardhmen e tij.
“Jam i lumtur që e kam humbur bastin me të, kjo është shprehja e duhur. Sa për të ardhmen time jam i qetë. Unë nuk kam ndër mend të largohem nga Madridi. Iki vetëm po më përzunë”, ka thënë Karlo./panoramasport