Dimri nuk mund të kuptohet pa një pjatë turshi. Në kuzhinën shqiptare turshitë janë ndër mezetë e preferuara. Përgatitja e tyre varion nga zona gjeografike dhe tradita. Procesi i ruajtjes ka gjithashtu sekretet e veta. Provoni recetën e Alfës dhe do të lëpini gishtat.
Koha e përgatitjes: 30 minuta
Koha e gatimit: 15 minuta
Sterilizimi: 20 minuta
Për 4 persona
Përbërësit
500 gr lulelakër, 300 gr karrota, 150 gr speca, 200 gr qepujka, 200 gr kastravecë, 500 ml uthull vere, 30 gr sheqer, kripë dhe piper kokërr, kopër sipas dëshirës.
Përgatitja
1 Lani të gjitha perimet. Pritini sipas formave ( lulelakrat sipas luleve,kastravecin dhe specat në feta, karrotat në formë shkopinjsh etj) , përveç qepujkave që lihen të paprera.
- Zieni uthullën bashkë me sheqerin në një tenxhere të thellë. Shtoni tek marinada kripë të trasë, piper kokërr dhe kopër sipas dëshirës.
- Zieni llojet e ndryshme të perimeve veçmas në marinadë ( jo të gjitha bashkë) duke i lënë të forta.
- Perimet e ziera vendosini në shtresa të kombinuara në kavanoza qelqi.
- Lëngun e marinadës riziejeni dhe hidhuani sipër perimeve kur të jetë i vluar.
- Mbyllni kavanozat me kapakë dhe vendosini në frigorifer.
- Turshitë e përgatitura më sipër duhet të konsumohen brenda javës.
Këshilla e shefit
Për t’i ruajtur më gjatë turshitë, duhet të sterilizohen kavanozat.
Për të sterilizuar kavanozat, mbyllini vazot me kapakë, mbështillini me beze dhe vendosini në një tenxhere me ujë që vlon.
Lërini në ujë që vlon për 20 minuta. Lërini të ftohen në ujin ku valuan dhe kontrollojini nëse janë mbyllur hermetikisht.
Ruajini në vende të freskëta dhe me pak ndriçim.