Recetë/ “Doughnuts”, petullat amerikane

Koha e përgatitjes: 45

Koha e ardhjes së brumit: 4 orë

Qëndrimi në frigorifer: 1 natë

Koha e gatimit:30-40 minuta

Për 20 copë doughnuts

Përbërësit:

500 gr miell, ½ lugë çaji kripë, 3-4 lugë gjelle sheqer, 1 lugë çaji esencë vanilje, 1 lugë gjelle maja,125 gr gjalpë i shkrirë, 4 vezë, 150 ml qumësht i vakët, rreth 2 litra vaj luledielli për skuqje, sheqer kaf për pudrosje.

Përgatitja

· Në 150 gr qumësht të vakët tresni majanë dhe 4 lugë sheqer të bardhë. Lëreni sa të bulëzohet dhe shtoni miellin, kripën, esencën e vaniljes dhe vezët. Përziejini mirë me një rrahës elektrik për rreth 8 minuta derisa brumi të shkëputet nga ena. Lëreni brumin të pushojë për një minutë.

· Vendoseni rrahësin e brumit përsëri në punë me shpejtësi mesatare dhe shtoni nga 25 gr gjalpë kohë pas kohe. Kur brumi të ketë thithur komplet gjalpin, punojeni me shpejtësi të lartë për 5 minuta të tjera. Brumi duhet të jetë elastik.

· Mbuloni brumin me qese kuzhine ose një peshqir të pastër dhe lëreni të vijë deri sa të dyfishojë vëllimin. Ripunoni brumin dhe të mbuluar lëreni në frigorifer për gjithë natën.

· Të nesërmen nxirrni brumin nga frigoriferi dhe ndajeni në 20 copë, 50 gr secila.

· Me petës hapni në formë rrethore brumin në diametrin e një filxhsni çaji. Vendosini në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje dhe të plurohsur me miell. Vendosini në distancë nga njëra-tjetra. Mbulojini përsëri me qese kuzhine dhe lërini të vijnë për 4 orë.

· Vendosni një tigan të thellë në zjarr. Hidhni vajin deri në gjysmën e lartësisë së tiganit. Nxehni vajin në temperaturë 180 gradë C. Me kujdes hidhni petullat në vajin e nxehtë. Në varësi të tiganit tuaj skuqni 2-3 petulla për çdo radhë.

· Skuqini petullat për 2 minuta nga secila anë, derisa të marrin ngjyrë të artë. Gjatë skuqjes ato dalin mbi vaj, ndaj rrotullojini me një pirun për petulla.

· Largoni petullat nga zjarri me ndihmën e një luge me vrima dhe vendosini mbi një letër kuzhine. Në një pjatë hidhni sheqer kaf. Kaloni aty petullat nga të dyja anët sa janë akoma të nxehta.

· Nëse dëshironi të mbushni petullat, bëni një çarje të vogël me thikë në anët që bashkojnë brumin.

· Me ndihmën e një qeseje pastiçerie mbushini me mbushjen e parapëlqyer. Rekomandohet të shërbehen sapo të mbushen.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *