Reforma Administrative/ Alibeaj mblidhet me disa deputetë në Elbasan: Qytetarët janë lënë në harresë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së  dhe disa deputetë të tjerë të kësaj force politike, bashkë me grupe interesi dhe përfaqësues politikë lokalë, janë mbledhur gjatë ditës së sotme në qytetin e Elbasanit për të diskutuar mbi Reformën Administrative-Territoriale.

Sipas Alibeajt, reforma administrative e vitit 2014, ka lënë në harresë qytetarët, ndërkohë që kërkohen ndryshime drastike duke sjellë një reformë të re, e cila iu shërben qytetarëve.

Postimi i Alibeajt:

Me qytetarë, grupe interesi dhe përfaqësues politikë në qarkun e Elbasanit, për të diskutuar për qëndrimin tonë mbi Reformën Administrative-Territoriale.

Mungesa e shërbimit ndaj qytetarëve, diskriminimi i zonave periferike dhe rurale, shndërrimi i bashkive në agjenci punësimi elektoral, paratë e qytetarëve që shkojnë për tendera korruptivë për bandën kriminale lokale apo oligarkun e radhës të lidhur me pushtetin e Tiranës, biznesi i vogël i kërrusur nga taksa e tarifa pa fund, në qepenat e mbyllur të të cilëve vendoset lajmërimi mortor “jepet me qera”, prodhimi bio bujqësor i sfiduar keqas nga ai importit, banorë të fshatrave që taksohen për gjelbërim (!), e që iu duhen kilometra të tëra për të marrë një shërbim elementar në qytet, infrastruktura rurale që prej vitesh nuk njeh asnjë investim, lidhjet historike dhe tradicionale të goditura nga bashkimet artificiale të territoreve, e mbi të gjitha përralla e bukur e 2014 për “administrimin vetëqeverisës” dhe “demokraci lokale” është kthyer në makth dhe barrë torturuese për njerëzit. Ky është bilanci dëshpërues i “Reformës territoriale-elektorale” të 2014.

Për qytetarët e lënë në harresë të Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit, Peqinit, Belshit, Cërrikut, Elbasanit, kërkohen ndryshime që të jenë funksionale, të tejkalojnë interesat politike, të ruajnë identitetin, traditën, historinë, ndjesinë e brendshme të lidhjeve komunitare, dhe të ringjallin koshiencën e humbur të të qeverisurit nga vetë njerëzit!

Së bashku me kolegët Dhurata Çupi, Andia Ulliri, Zheni Gjergji e Lefter Gështenja, në Komision e pastaj në Kuvend, do përcjellim e mbështesim një reformë që vjen nga qytetarët e iu shërben qytetarëve!


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *