Komisioni i Reformës Territoriale është duke zhvilluar këtë të hënë seancën dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile.
Në këtë seancë, deputeti i PD-së, Xhelal Mziu tha se në ndarjet territoriale qëllimi duhet të jetë që shërbimi të jetë pranë qytetarëve.
Sakaq shtoi se fondi i pagave duhet gjykuar nga pikëpamja e administratës dhe shërbimeve publike që ofrohet nga njësitë administrative.
“Qëllimi kryesor në ndarjet territoriale ka si fokus që shërbimi të jetë pranë qytetarëve. Por kjo ndarje që kemi pas 2014-ës ka një disproporcion të shërbimeve, duke shpopulluar dhe njësitë vendore. Pse është jo i vlefshëm aspekti gjeografik? E fundit, nuk dëgjova opinionin tuaj në raport me pushtetin vendor që kemi sot. Pushteti vendor duhet të ketë pavarësi dhe në optikën time, pavarësia, autonomia e pushtetit lokal ka qenë më e cunguar se më përpara. Kishim 309 komuna, me një numër personali 10-15 punonjës. Ajo para publike në gjykimin tim nuk është përdorur në mënyrën e duhur.
Fondi i pagave duhet gjykuar nga pikëpamja e administratës dhe shërbimeve publike që ofrohet nga ajo njësi administrative. Por, nuk mbahet thelbi i një reforme duke parë fondin e pagës. Rezultati është cilësia e shërbimit, pasi ai është derivati i fundëm, që jep përgjigje nëse është realizuar mirë apo jo reforma. Taksa e pasurisë është më mbledhur më shumë sesa ka qenë në vlerë absolute”, tha ai.