Eksperti Arben Shkodra shprehet se politika shqiptare ka dështuar me qeverisjen vendore në këto tre dekada. Në një intervistë për ‘Abc’, Shkodra për reformën territoriale tha se edhe këtë herë palët po përpiqen ta kthejnë në përfitim politik.
Teksa maxhoranca dhe opozita në komisionin e ngritur kanë kundërshti për numrin e bashkive, eksperti thotë se sa më pak aq më mirë.
Shkodra ka propozuar 5 rajone dhe kryetarët e tyre të zgjidhen nga populli.
“Vijon politika që ta konsiderojë Reformën Territoriale thjeshtë për përfitim politik. Reforma ka të bëjë me menaxhimin e territorit. Nuk besoj se po bëjmë një Reformë Territoriale, e cila duhet të na prodhojë vetëm numra. Jemi akoma në diskutimet në konsolidimin e institucioneve. Sot bashkitë duhet të mendonin se si së bashku duhet të punonin për zhvillimin ekonomik dhe jo a keni paga për të paguar punonjësit dhe energjinë. Kjo tregon se jemi akoma në embrion të qeverisjes. Akoma politika nuk ka konsoliduar mënyrën si do qeverisë territorin. Kemi një dështim spektakolar të politikës për qeverisjen vendore. Unë do të mendoja që ne kemi nevojë për sa me pak bashki të jetë e mundur njësitë e qeverisjes vendore, komunat i kemi hequr me ligj, por i kemi në kushtetutë dhe krijuam një show politik. Ne sot kemi probleme të theksuara të kapitalit njerëzor në bashki. Duhet të kemi pesë rajone të zgjedhura nga populli. Kryetari i rajonit të jetë i zgjedhur nga populli. Ne kemi dështuar me prefektët. Sot kemi të gjithë pushtetin vendor në një krah politik. E dini sa probleme ka sipërmarrja nëpër bashki. Industritë prodhuese të paguajnë për të ndërtuar fabrika njësoj siç paguajnë për të ndërtuar pallate. Ka një burokraci pafund”, tha ai.