Refuzoi kontrollin fizik të mjetit, procedohet penalisht i moshuari në Sarandë

Një 61-vjeçar është proceduar penalisht në Sarandë pasi ka kundërshtuar punonjësit e policisë Kufitare.

Shtetasi me iniciale M.M., akuzohet veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Mësohet se i moshuari është ndaluar nga policia për kontroll dokumentacioni por nuk i është bindur urdhrit dhe ka tentuar të largohet.

Sakaq është gjobitur me 50.000 lekë të rinj, si dhe i është bllokuar mjeti lundrues për 1 muaj.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet nga Komisariati i Policisë Kufitare, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë Kufitare, për kontrollin e dokumentacionit të mjetit të tij lundrues, procedohet penalisht 61-vjeçari.

Gjithashtu, ndëshkohet me masë administrative 50.000 lekë të rinj, si dhe i bllokohet mjeti lundrues që posedonte, për 30 ditë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe, gjatë patrullimit në gjirin e Sarandës, në vendin e quajtur “Kanali i Çukës”, kanë ndaluar për kontroll dokumentacioni një mjet lundrues tip gomone, pronari i të cilit nuk i është bindur urdhrit për kontroll dhe ka tentuar të largohet. Pas ndalimit të drejtuesit dhe shoqërimit të tij, bashkë me mjetin lundrues, në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, në bazë të ligjit nr.127 të vitit 2020, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. M., 61 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Florida, u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, si dhe iu bllokua mjeti lundrues për 30 ditë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. M., për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *