Prokurori i Tiranës Artan Lulaj është shkarkuar ditën e sotme nga detyra pasi nuk arriti të kundërshtonte barrën e provës në dy kritere.
Njoftimin e ka bërë të ditur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit .Trupa që hetoi rastin e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Alma Faskaj, ka vlerësuar se Lulaj nuk arriti të kundërshtonte barrën e provës në dy kritere.
Lulajt i ishin kërkuar shpjegime për pasurinë dhe po ashtu edhe në lidhje me hetimet e kryera prej tij për vrasjen e Marvin Mihalit. Gjatë seancës dëgjimore nga KPK u vu në dukje se kishte vlerësuar paraprakisht se Lulaj nuk kishte qenë bashkëpunues, ndërsa nuk kishte kthyer disa përgjigje, nuk kishte vënë në dispozicion dokumente dhe kishte refuzuar të bënte transparencë mbi pasurinë e së bijës.
Artan Lulaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, përpara se të transferohej në Prokurorinë e Rrethit Tiranë në vitin 2015.
/Burimi: Gazeta Shqip/