Ligji për regjistrin e llogarive bankare deri tani ka dështuar në qëllimin për të lehtësuar punën e institucioneve ligjzbatuese dhe të bankave.
Një nga qëllimet e ligjit ishte që institucionet të përfitonin akses apo të drejtë për informacion nga regjistri i llogarive të subjekteve, në mënyrë që të mos ishin të detyruar të dërgonin kërkesë te të gjitha bankat për të marrë informacionin e nevojshëm.
Por, burime nga sektori bankar shprehen se në praktikë nuk ka ndryshuar asgjë.
Institucionet dhe përmbaruesit gjyqësorë vazhdojnë të dërgojnë kërkesa në të gjitha bankat e sektorit, për të marrë informacion për llogaritë bankare të individëve apo subjekteve.
Bankat vazhdojnë të përballen me volume shumë të mëdha kërkesash për informacion nga institucione, si organet e prokurorisë, apo përmbaruesit gjyqësorë.
Për shkak të numrit të madh të kërkesave dhe afateve të shkurtra ligjore për kthimin e përgjigjeve, kjo praktikë ka krijuar probleme shumë të mëdha për bankat tregtare, që nuk kanë burime njerëzore të mjaftueshme për t’iu përgjigjur në kohë flukseve të tilla.
Për më tepër, megjithëse jemi në epokën e dixhitalizimit, ligjërisht bankat nuk mund të kthejnë përgjigje në rrugë elektronike, por vetëm me dokumente me firmë dhe vulë fizike, proces që kërkon edhe më shumë kohë.