Regjistri me të dhënat personale të shqiptarëve u ‘porosit’ nga ‘Fondi Besa’? Cila ka qenë dëshmia e të arrestuarve, që po mbahet sekret…  

Shqiptarët do të habiten kur të mësojnë në fund të gjithë kësaj “sage” financiare se sa lehtë mund të shkojnë për “dhjam qeni” jo vetëm të dhënat e tyre personale, por edhe llogaritë bankare, asetet apo dhe pronat e patundshme, kur në lojë futen institucione financiare dhe paraja derdhet lum.

Kjo të paktën ka ndodhur realisht me të dhënat personale të mbi 680 mijë individëve që janë të punësuar në shtet dhe privat dhe që janë edhe të deklaruar në organet e Tatimeve dhe të Sigurimeve Shoqërore.

Edhe pse shumë individ mendojnë se qëllimi i shpërthimit të këtij skandali ka qenë vetëm që të mësohen pagat e një pjese personazhesh, apo se kjo është një lojë e “patronazhistëve” të Partisë Socialste, në fakt e vërteta mbi këtë skemë është krejt ndryshe.

Burime konfidenciale nga Prokuroria e Tiranës kanë pohuar sot për “Priza.al” se, qëllimi i përvetësimit të data-bazeve, si atij të pagave, ashtu dhe atij të targave të automjeteve, por edhe një tjetër që është marrë nëpërmjet AKSHI-t dhe që i përket dosjeve kadastrale dhe atyre hipotekore të subjekteve dhe individëve, ka pasur vetëm një objektiv.

Sipas burimeve, objektivi ka qenë që shumë personave të cilët janë kreditorë në sistemin bankar ose atë të mikrofinancave, t’u bllokohen ose t’u përvetësohen në forma të ndryshme pronat dhe kapitalet financiare.

Një ekspert i krimit financiar, i ka thënë “Priza.al” se: “në dukje kjo ngjan si një skemë e ‘izoluar’, ‘minimale’ dhe pa ‘rrezikshmëri të lartë’ pasi u përket vetëm një grupi të caktuar individësh apo subjektesh, atyre që kanë marrë kredi pranë bankave të nivelit të dytë apo IFJB-ve.

Por në Shqipëri në fakt, skema të tilla kreditimi janë përhapur masivisht dhe si bankat, por kryesisht IFJB-të, kanë krijuar një formulë me klientët që kanë kredituar, ku sa më shumë që të vonosh këstet e pagesës aq më shumë të shtohen kamatat, komisionet dhe vet kredia rritet në vend që të zvogëlohet. Kjo bën që të shkojmë drejt një kolapsi financiar të individit apo subjektit, ku duket sikur nuk del më nga vorbulla e pagesave.   

Kjo ka qenë edhe arsyeja se përse disa IFJB apo banka, kanë kërkuar që të posedojnë të dhënat personale të individëve, me qëllim që ta kenë sa më të lehtë kontrollin mbi ta dhe mundësinë se ku të marrin paratë apo asetet në rast mospagese”.

Pse hetimet për IFJB-të dhe skandalin e të dhënave zvarriten?

Prokurorët e çështjes së skandalit të të dhënave personale janë shtangur kur nga të arrestuarit tashmë “bashkëpunëtorë të drejtësisë” kanë mësuar emrat e institucioneve private dhe individëve që kishin ofruar para për blerjen e këtyre të dhënave.

Burime nga Prokuroria e Tiranës deklaruan për “Priza.al” se nga hetimet “kanë delë emrat e disa drejtorëve të institucioneve të mikrofinancës, që ishin të interesuar për gjetjen e të dhënave, regjistrat dhe të gjitha informacionet e mundshme për individët dhe subjektet, që ishin arkivuar nga AKSHI”.

Po sipas të njëjtave burime, “hetimet zbuluar se drejtorë të ‘Fondit Besa’ kanë qenë ndër individët e parë që u kanë ofruar shuma të majme IT-ve dhe punonjësve të AKSHI-t, pikërisht për kalimin e të dhënave sensitive të dhjetëra mijëra individëve.

Por nuk kanë qenë vetëm drejtues nga ‘Fondi Besa’ pasi këtë akses e kanë kërkuar edhe disa drejtorë ekzekutiv dhe vartës të tyre edhe nga IFJB të tjera, si dhe banka private të nivelit të dytë”.

Sipas informacioneve konfidenciale, usb-të me data-bazet e të dhënave u janë shitur shumë peronave, drejtues institucionesh financiare private, por një pjesë e tyre kanë bërë pagesa të majme për sasinë dhe cilësinë e informacionit.

Por aktualisht Prokuroria e Tiranës, mësohet se po punon edhe mbi çështje të hershme që kanë lidhje me skemat financiare dhe me skandalet që lidhen me mikrokreditë, ku në qendër të tyre janë disa të ndodhura më herët me “Fondi Besa”.

Zyrtarë dhe drejtues të lartë të këtij të fundit, mësohet se janë thirrur jo pak herë në Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK gjatë vitit të kaluar, në lidhje me çështje që janë në proces e sipër, ose edhe pas kallëzimeve të reja nga individë, bërë në adresë të “Fondit Besa”.

Por sipas burimeve nga Prokuroria, i vetmi që nuk ka pranuar të paraqitet personalisht, por nëpërmjet avokatëve ose personave të ngarkuar me punë të aspektit juridik ka qenë vet Presidenti i “Fondit Besa”, Bajram Muça.

“Priza.al” ka mësuar se, nga prokurorët e çështjes përfaqësuesve ligjorë të z. Muça, u është këërkuar informacion edhe për aksionerët e huaj të “Fondit Besa”, por për ta nuk është dhënë deri tani asnjë informacion i detajuar më shumë nga sa dihet publikisht.

BM – Fondi BESA SH.A.

Sa kredi ka dhënë ‘Fondi Besa’ deri në vitin 2021

Në pasqyrat financiare që “Priza.al” ka siguruar nga burime konfidenciale brenda “Fondit Besa” mësohet se ky i fundit ka dhënë deri në fillim të vitit 2021 mbi 280 mijë mikrokredi dhe kredi të mëdha, në një kohë që shuma e portofolit nga viti 2018 deri në 2021, shkoi nga 500 në rreth 800 milionë eurove (një pjesë e pa deklaruar), por burimet pretendojnë se kjo shumë “mund të jetë edhe më e madhe”.

Shumicën e aksioneve të kësaj SH.A.-je, pra rreth 75.37% i zotëron “OJF”-ja e njohur si “ABC”. Pra një “OJF” zotëron më tepër se 75% të aksioneve, mbi një kompani tregtare fitimprurëse, në një kohë që me ligj kjo “OJF” nuk duhet të ekzistonte më pasi “OJF” do të thotë “organizatë jo fitimprurëse”. Sekreti është që drejtori ekzekutiv pra pronari i “OJF”-së “ABC”-ë, është po Bajram Muçaj që është edhe drejtor ekzekutiv i “Fondit Besa”.

Kur “Fondi Besa” ndryshoi emrin nga “Fondacioni Besa” dhe me ligjin e ri u kthye zyrtarisht në një IFJB-ë më 11 korrik 2008, pak kohë më pas, pra në 19 shtator të atij viti, u krijua edhe “ABC”-ja. Pra “Fondi Besa” lindi nga “Fondacioni Besa” (organizatë jo fitimprurëse).

Aksionerët e huaj të “Fondit Besa”, mes të cilëve edhe shtetas rus

“Fondi Besa” siç prezantohet edhe zyrtarisht në ëeb-sitin e tij, ka një bord aksionerësh të huaj, që sipas informacioneve, janë ata që edhe sigurojnë financimet nga një rrjet i gjerë fondesh të fondacioneve të mikrokredisë, të shpërndarë nëpër shumë shtete të Europës Lindore.

2

(Piotr Korynski dhe Georgi Breskovski, dy prej aksioneerëve të huaj dhe anëtarë bordi të Fondit Besa)

Piotr Korynski dhe Georgi Breskovski, janë dy prej anëtarëve të Bordit Drejtues të “Fondit Besa”, që të dy të huaj njëri nga Çekia por me origjinë ruse dhe tjetri nga Bullgaria, që të dy pjesëtarë të institucioneve të rëndësishme financiare dhe me eksperienca ndërkombëtare.

Por në një kohë që Georgi Breskovski, në jetëshkrimin e tij ka të prezantuar institucionin financiar ku bën pjesë aktualisht në Bullgari, ai prezanton dhe arsimimin të cilin e ka përfunduar në Gjermani, në universitetin agrar të Bremenit.

Për disa prej aksionerëve të huaj të “Fondit Besa” agjencia investigative rajonale, “Insaideri.com”, ka hedhur hije dyshimi për origjinën e tyre dhe arsimimin që në kohë e Gjermanisë Lindore, duke lënë të dyshosh se ata janë formuar në Drezden dhe Bremen, dy prej pikave nevralgjike të agjenturës ruse dhe gjermanolindore të STASI-t.

Por për të mos aluduar mbi lidhje të dyshimta të këtyre personazheve, në fakt më të mistershëm e bën vetë “Fondi Besa” çështjen e tyre, pasi nuk bënë transparente as formimin e tyre dhe as lidhjet me këtë IFJB në Shqipëri.

Ndërkohë, më herët disa media elektronike në Shqipëri, por edhe të rajonit ngritën disa akuza mbi bazën edhe të disa investigimeve, sipas të cilave aksionerët e huaj të “Fondit”, ishin pika lidhëse midis tij dhe injektimit në të, të parave me origjinë nga financimet ruse në rajon.

Vijon…

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *