Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me regjistrimin e fëmijëve në kopshte e çerdhe.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Tabaku akuzon qeverinë dhe ministrinë e Arsimit, pasi sipas saj shumë fëmijë kanë ngelur pa u regjistruar në këto institucione.
Sakaq shton se qeveria grumbullon 40mln euro nga kopshtet dhe çerdhet, por prindërit vuajnë për regjistrimin e fëmijëve çdo vit.
Postimi i plotë:
Sa herë afron fundi i gushtit shumica e prindërve kanë në mendje një ankth që lidhet me regjistrimin e fëmijëve të tyre në kopshte, çerdhe dhe shkolla. Sa më shumë kalojnë vitet aq më e përpjetë shndërrohet rruga e prindërve që duhet të përplasen dyerve për të regjistruar fëmijët e tyre në çerdhet publike apo dhe kopshtet.
Këtë vit, Ministria e Arsimit, ka vendosur që ta shkurtojë edhe më tej kohën në dispozicion duke lënë shumë fëmijë pa u regjistruar në çerdhe dhe kopshte e duke ua bërë jetën ferr pa nisur ende shtatori. Sakaq investimet në kopshte dhe edukim janë tejet të ulëta. Kopshte edhe çerdhe ku 1 edukatore ka së paku nga 25 fëmijë për të manaxhuar dhe edukuar që tregon disproporcionin e madh që kanë kopshtet publike të lëna në mëshirë të fatit. Ironia në këtë mes është se jo vetëm qytetarët paguajnë një taksë për shkolla edhe çerdhe (që kurrë nuk shkon aty e ka destinacionin) por paguajnë edhe tarifa ekstra për mirëmbajtjen e tyre. Rezultati? Një katrahurë që kutërbon korrupsion dhe paaftësi megjithëse mbi 40 mln euro taksa të mbledhura për shkolla e kopshte.
Prindërit ndërkohë përballen me murin e heshtjes dhe menefregizmit shtetëror ndërsa fëmijët vazhdojnë të marrin një trajtim të pamerituar. Një mësim që herët në jetë për t’i treguar se nga cili brum është gatuar kjo qeveri që mendon për pakicën e pakicës.
Një mazhorancë dhe qeveri që propagandën e beson aq shumë vetë sa që vetgënjehet me arritjet e paqena ndërsa shqiptarët mbeten përherë të margjinalizuar dhe zhgënjyer!