Regjistrohet vdekja e parë nga hepatiti akut në Greqi. Behet fjalë për një foshnjë 13 muajsh, i cili u shtrua në një klinikë private pediatrike për shkak të temperaturës dhe letargjisë dyditore. Nga analizat e kryera është konstatuar insuficiencë e mëlçisë dhe edemë cerebrale dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve fëmija nuk ka mundur të mbijetojë.
Pas njoftimit për shtimin e rasteve me hepatit akut me etiologji të panjohur në Mbretërinë e Bashkuar, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë regjistruar 920 raste të tilla në 33 shtete. Nga rastet e mundshme të raportuara në mbarë botën, 45 kërkuan transplantim të mëlçisë. Vihet re se javët e fundit ka një rënie të vazhdueshme të incidenteve në nivel ndërkombëtar.
Deri më sot, në Greqi janë raportuar 11 raste të tjera, të cilat përmbushin kriteret e një “rasti të mundshëm” të hepatitit akut me etiologji të panjohur tek fëmijët, sipas përcaktimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto raste nuk kanë kërkuar trajtim të veçantë, pasi nuk kanë paraqitur komplikime dhe janë në gjendje të mirë.