Trajneri i Kombëtares Edy Reja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për gjendjen e skuadrës në prag të sfidës. Trajneri italian i kuqezinjve tha se gjatë kësaj jave kjo sfidë është përgatitur si një finale, pasi Shqipërisë i bën punë vetëm fitorja në Izrael, teksa u shpreh se mungesat nuk do të ndikojnë, por do të vendosë vetëm dëshira e futbollistëve në fushë.
“Nëse duam të shpresojmë për vendin e parë, nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të marrim fitoren nesër këtu. Ne kemi vetëm një pikë dhe kundërshtari 5, ndaj jemi të dënuar të fitojmë, për të qenë brenda objektivave. Do t’u kërkoj të gjithë lojtarëve që në fushë të zbresin për të dhënë maksimumin. Kemi punuar shumë këtë javë dhe kemi treguar shumë vëmendje në aspektin taktik, ndaj jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë.”
Kujt do t’i peshojnë më shumë mungesat, Shqipërisë apo Izraelit?
Nuk do të peshojnë aspak mungesat, por forma fizike dhe dëshira për të dhënë maksimumin e për të fituar. Duhet të shkojmë në fushë dhe të luajmë, pasi përtej mungesave, në grup edhe ne edhe Izraeli kanë lojtarët e duhur për të luajtur. Nesër unë pres që të tregohemi një skuadër e vërtetë, duke luajtur pa frikë dhe pa asnjë ndjenjë inferioriteti.