Trajneri i përfaqësueses shqiptare Edy Reja, ka dalë sot në konferencë për shtyp para sfidës kundër Andorrës. Sipas tij, ekipi kishte bërë maksimumin dhe nuk duhej kritikuar se kishte humbur një ndeshje me një ekip si Anglia. Ai gjithashtu tha se Andorra nuk është një ekip i lehtë dhe madje e kanë bërë kombëtaren të vuajnë. Ai gjithashtu foli edhe për sulmuesin Armando Broja duke bërë të ditur se nuk do të luajë në sfidën e nesërme.
Anglia – “Është e qartë që pas 5-0 morali nuk është ndër më të mirë se mendohej se mund të bënim më mirë. Por duhet të mendojmë që u mundëm nga Anglia, e cila ka një nga kombëtaret më të mira të historisë së Anglisë, për vlerat individuale, duke marrë në konsideratë edhe pankinën e një niveli të lartë. Ndaj nesh bënë një ndeshje të motivuar, agresivë.
Andorra – Kemi folur me djemtë. Ata janë përmirësuar shumë, janë një skuadër e cila na ka krijuar vazhdimisht probleme. Ne kemi fituar 1-0 në Andorra, e meritonim të fitonim më thellë, se i dominuam. Kemi barazuar 2-2 këtu, është një skuadër që na bën të vuajmë.
Ne kemi detyrën që të bëjmë ndeshje me vëmendje e agresivitetin e duhur dhe të shfrytëzojmë atë që kemi bërë në të gjithë ndeshjet e tjera, se kemi gabuar vetëm ndeshjen me Poloninë, se të tjerat i kemi bërë mirë. Të mos hedhim në erë atë që kemi bërë deri tani dhe ta mbyllim duke e munduar që ta menaxhojmë siç duhet ndeshjen.
Broja – Ne e kemi lënë në shtëpi, nuk erdhi këtu se u kurua meqë kishte probleme me kaviljen. Salihi shkoi ta shihte në ndeshjen e fundit dhe kishte këtë problem. Folën mjekët e dy palëve dhe u tha që ishte ky problem. Erdhi me ne dhe ishte pak më mirë. Shpresoja ta përdorja me Andorrën, por ai dhe klubi kërkuan që të kurohej e të ishte gati për ndeshjen tjetër. Ishte i dëmtuar se kishte probleme me kaviljen, nuk ka asgjë tjetër”.
Tifozët e pakënaqur? Ne kemi luajtur kundër 4 lojtarëve titullarë të Mançester Junajtid, 4 te Çelsi, 3 të Totenhem. Ata që ishin në pankinë e hynë me vonë janë titullarë në çdo ekip tjetër. Kanë një ekip në stol që janë titullarë në skuadra të tjera.
Merrni në konsideratë faktin që ishim në momentin më të keq, se kishim lojtarë më dëmtime, apo që nuk luanin së fundmi në klubet e tyre. Ne u paraqitëm me një skuadër jo në 100%, por ata po. Për ta ishte ndeshje vendimtare, deshën të fitonin me çdo kusht na sulmuan për 15 minuta shihej diferenca mes ekipeve. Këto janë njerëz me aftësi të jashtëzakonshme, janë lojtarë që me këtë ekip mund të fitojnë Botërorin.
/Priza.al/