Sali Berisha njoftoi ditën e sotme se grupimi i tij do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e ‘Apelit’ lidhur me vulën e Partisë Demokratike. Gjatë mbledhjes së grupit të deputetëve ai u shpreh se këtë çështje do ta çojë edhe në Gjykatën Kushtetuese apo dhe në atë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Ndër të tjera, ish-kryeministri njoftoi se do të dorëzojë ditën e nesërme edhe dokumentet për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit.
Berisha: “Është arritur në përfundimin që vendimi i gjykatës së Apelit është një histori turpi që s’mund të pranohet kurrë. Ndaj sapo të zbardhet, ne do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë, në Gjykatë n Kushtetuese dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Do bëjmë rekurs sepse që nga Roma antike deri më sot ku ka sunduar ligji, kurrë nuk është bërë palë në një gjyq ai që nuk ka qenë palë, dhe ai që në sallë të gjyqit tha se nuk është palë. Palë u bë Rama dhe Lira Kokona. Ajo ka rekorde të vërteta mafioze të një njeriu të korruptuar. Nesër do dorëzojmë dokumentet tona.
Unë besoj që KQZ nuk do pranojë kurrë një gjë të tillë, them se do i përmbahet ligjeve dhe kodit dhe nuk do lozë me një procedurë të tillë e cila damkos zgjedhjet, institucionin e administrimit të tyre pa filluar. Ndaj ne do paraqesim të gjithë dokumentet për regjistrim në KQZ, siç na takon, dorëzojmë dhe vendimin i cili për kohën që nuk është bërë rekursi është vendimi i gjykatës së faktit. Normalisht duhet të jetë i vetmi vendim, nuk shqyrtohen kurrë në apel këto vendime”.