Refugjatët Rohingya në Bangladesh, kanë thënë të shtunën se ata nuk do të kthehen në Mianmar për “t’u futur nëpër kampe”.
Ata i kanë bërë këto deklarata, pas një vizite në Bangladesh, në kuadër të përpjekjeve për të inkurajuar riatdhesimin e tyre vullnetar.
Rreth një milion myslimanë Rohingya janë duke jetuar në kampe në kufirin e Bangladeshit, pasi u kanë ikur tentimeve për shtypjen e tyre në Mianmarin me shumicë budiste, më 2017.
Mianmari njihet edhe si Burma.
Rreth 20 refugjatë myslimanë Rohingya, dhe shtatë zyrtarë të Bangladeshit, i kanë vizituar të premten disa fshatra në shtetin Rakhine – brenda Mianmarit – për të diskutuar mundësitë eventuale për riatdhesim.
Mirëpo refugjatët Rohingya kanë shprehur pakënaqësi me përgatitjet për riatdhesim, dhe kanë thënë se nuk do të kthehen derisa t’iu garantohet siguria dhe marrja e shtetësisë.
“Nuk duam të na mbyllin në kampe. Ne duam të kthehemi në tokat tona dhe të ndërtojmë shtëpitë tona atje”, ka thënë Oli Hossain, i cili ka qenë një prej refugjatëve që e ka vizituar Shtetin Rakhine.
“Ne do të kthehemi vetëm me shtetësi dhe të gjitha të drejtat tona”, ka thënë 36-vjeçari, baba i gjashtë fëmijëve.
Mianmari u ofron myslimanëve Rohingya vetëm një kartë identiteti, e cila për ta është joadekuate.
“Mianmari është vendi ynë i lindjes, dhe ne jemi shtetas të Mianmarit, andaj e duam shtetësinë”, ka thënë refugjati Abu Sufian, 35-vjeçar.
Tentimet e mëhershme për riatdhesim të myslimanëve Rohingya, kanë dështuar, pasi refugjatët kanë përmendur dhunën si shqetësim të tyre.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), ka thënë se “çdo refugjat e ka të drejtën e patjetërsueshme për t’u kthyer në vendin e tij. Kthimi i refugjatëve duhet të jetë vullnetar, bazuar në një zgjedhje të informuar, por asnjë refugjat nuk duhet të detyrohet në zgjedhjet e tyre”.