Rëndohet sërish situata në Krujë/ 130 qytetarë të tjerë përfundojnë në spital

Vijon situata e rënduar nga helmimi nga uji i pijshëm në Krujë. Nga mesdita e djeshme deri sot në mëngjes kanë qenë rreth 130 persona, që i janë drejtuar spitalit për ndihmë, ku fluksi më i madh ka qenë gjatë darkës.

Sipas informacioneve, depozita kryesore është dezinfektuar, është mbushur e derdhur dy herë dhe pritet leja nga ISHP për të nisur furnizimin me ujë të qytetit, pasi duhet të dalin analizat, të cilat me shumë gjasa dalin nesër.

Ndërkohë, ditën e djeshme prokuroria ka zbarkuar te ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Krujë, ku janë marrë disa dokumente, si dhe janë marrë në pyetje drejtues të këtij institucioni.

Disa firma të prodhimit e paketimit të ujit, por edhe biznese lokale, janë sensibilizuar ditën e djeshme dhe kanë dërguar në Krujë rreth 100 ton ujë të paketuar.

Bizneset lokale e kanë shpërndarë nëpër kopshtet e çerdhet e qytetit, ndërsa firmat e kanë dorëzuar sasinë e ujit në bashki, e cila mbrëmjen e kaluar ka filluar shpërndarjen e tij te familjet në nevojë, si ato me ndihmë ekonomike, pensioniste, invalidë, etj.

Dy autobotë kanë shpërndarë ujë për nevoja personale mbrëmë në disa pika të qytetit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *