RENEA në aksion/Tentoi të fshihte në baltë pistoletën e të largohej, si u vu në pranga vrasësi i Kastratit

Policia e Shtetit ka përcjellë detaje të reja në lidhje me arrestimin nga RENEA të Albert Zajës, i akuzuar për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit, më 1 shkurt në Fier. Në sajë të operacionit të koduar “Nikla”, është vënë në pranga Albert Zaja, një nga autorët e vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati.

Burimet zyrtare shtojnë se Forcat Speciale RENEA, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Albert Zaja në fshatin Larushk të Krujës.  Sapo ka parë se është pikasur nga ana e policisë, 37-vjeçari ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë, ndërsa ka nxituar që largohej. Por ai është kapur dhe prangosur nga uniformat blu.

Kastrati u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier, brenda makinës së tij. Ai ishte në lëvizje me makinë, kur u qëllua me breshëri nga një fuoristradë. Hetuesit besojnë se vrasja ndodhi për shkaqe hakmarrje, për një seri vrasjesh mes fisit Kastrati dhe atij Binjaku, ngjarje që datojnë që nga viti 2008.

NJOFTIMI

Finalizohet operacioni policor i koduar “Nikla”. Operacioni nga Forcat Speciale “RENEA”. Kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë që e posedonte 37 vjeçari.

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së datë 01.02.2021 dhe kapjen e autorëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për vendodhjen e një prej autorëve të vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Nikla”.

Në kuadër të operacionit, në fshatin Larushk të Krujës, Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Albert Zaja.

37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur nga policia.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale ka vendosur në mungesë për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Operacioni vijon për kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarje.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *