Në kuadër të operacionit “Shpirti”, forcat speciale të RENEA kanë ushtruar kontrolle gjatë natës në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Mësohet se në pranga ka rënë Ilir Gaba, por deri më tani nuk është bërë me dije asnjë detaj se cili është roli i tij në grupin e strukturuar kriminal.
Gjithashtu mësohet se ish-nënkomisari i Policisë së Fierit Festim Lelaj, dyshohet se është përfshirë në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike.
Lelaj, një efektiv policie nga Vlora por në atë kohë me detyrë nënkomisar në drejtorinë e Fierit, u arrestua në dhjetor të vitit 2017 si personi që ka organizuar trafikimin e 2.5 tonë drogë nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Sasia e madhe e drogës u kap në janar 2017 brenda një kamioni në Ancona.
Sipas prokurorisë në atë kohë, Lelaj ishte pjesë e zinxhirit policor që janë implikuar me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte lidhje me grupet kriminale që kultivonin lëndën narkotike në zonën e Treblovës dhe Vezhdanishtit. Aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpie.
Operacioni vijon ende, teksa paraditen e sotme pritet të ketë një konferencë për mediat online mes drejtuesve të policisë shqiptare, të Europol dhe prokurorive italiane.
/Priza.al/