Rënia e çmimit të sigurimit të makinave paralajmëron risqe, cilat janë ato

Ditët e fundit, çmimet e sigurimit TPL kanë pësuar luhatje të konsiderueshme, më saktë janë ulur.

Nëse tregu i sigurimeve në vend ndiqet me vëmendje, vërehet që, herë pas here, ka luhatje të çmimit të TPL, por stabilizohet në krye të pak ditëve. Këtë herë duket se situata e luhatjes së çmimeve ka vijuar për një periudhë kohe më të gjatë dhe nuk është e qartë se si do të zhvillohet më tej. Prandaj revista “Monitor”, përveç ndjekjes së luhatjes së çmimeve, u interesua të analizonte më tej fenomenin dhe mekanizmat që ekzistojnë për ta administruar atë.

Çfarë u pa në treg?520/*

Çmimet e TPL-ve kanë rënë deri në 28%.

Që prej javës së parë të muajit nëntor, në treg filluan të ofroheshin komisione për agjentët e shitjes, më të larta se zakonisht. Kjo praktikë, synonte marrje tregu nga disa operatorë, duke stimuluar shitjet, ndërkohë që në shumicën e rasteve, çmimi i shkruar në policat e sigurimit mbetej i pandryshuar. Për konsumatorin final, çmimi që do të paguante, varej nga agjenti i shitjes, i cili mund të ofronte dhe zbritje, duke sakrifikuar një pjesë të komisionit të akorduar nga kompania. Sipas burimeve nga tregu, niveli i komisioneve të ofruara nga kompanitë në mesin e muajit nëntor arriti deri në 45%.

Ndërsa nga vrojtimet e kryera në treg, çmimet e shitjes së policave, në varësi të fuqisë motorike të mjetit, arritën 13 mijë deri në 14 mijë lekë, nga 18 mijë deri në 19 mijë lekë që ishte primi i shkruar bruto në policën e sigurimit. Kjo tregon ulje të çmimeve në nivelin nga 26% deri në 28% kundrejt primit zyrtar.

Situata zgjati për pak kohë, pasi ajo që fillimisht nisi si një komision më i lartë për agjentët e shitjes, për të marrë më tepër treg, më vonë vijoi me zbatim direkt në policat e sigurimit, ku në policat e ofruara klientëve, printohen nivele të ndryshme çmimesh, gjithmonë e më të ulëta.

Ndërkohë sa herë që ka ulje të çmimeve, vihet re dhe një fenomen tjetër, ai i shitjeve të policave në avancë, pra nëse periudha e mbulimit të policës përfundon p.sh., më 30 nëntor, i siguruari ka mundësi që sot të blejë një policë TPL për periudhën 30 nëntor 2021 – 29 nëntor 2022. Shitjet në avancë shkaktojnë çrregullime në treg, pasi klientët rendin të blejnë me çmime të reduktuara para se policat e tyre të përfundojnë, ndërkohë që të tjerë anulojnë polica të blera pak para se të nisë ulja e çmimeve, dhe rendin pas kompanive që ofrojnë çmime më të ulëta. Ky fenomen, jo vetëm që shkakton konfuzion tek individët, dëmton marrëdhënien ndërmjet klientit dhe kompanisë, por rrit dhe më tej shpejtësinë e deficitit që krijohet nga ulja e rrezikshme e çmimeve.

Çfarë është në realitet një çmim sigurimi TPL?

Sigurimi i detyrueshëm motorik në planin individual perceptohet më tepër si taksë nga drejtuesit e mjeteve dhe është më se e kuptueshme që secili që blen një sigurim të tillë, do të dojë ta blejë sa më lirë atë. Në tërësinë e tij, ky është një sigurim përgjegjësie ndaj palëve të treta, të cilat dëmtohen nga aksidentet. Kështu, për të dëmtuarit dhe viktimat e aksidenteve motorike, në vitin 2020 (sipas AMF), në nivel tregu janë paguar 2,107 milionë lekë, pagesa të cilat ndikojnë në zbutjen e dëmit që u shkaktohet të aksidentuarve.

Një treg i shëndetshëm i sigurimesh, i cili funksionon mbi parime solide është tepër i rëndësishëm në zbutjen e kostove të shoqërisë. Pesha e sigurimeve të detyrueshme motorike në tregun tonë, sipas AMF, zë afro 66% të totalit të tregut të jo-jetës, për periudhën janar-shtator 2021, duke theksuar rëndësinë e këtij produkti në performancën e të gjithë segmentit të tregut të jo-jetës.

Në këtë kuptim, përcaktimi i nivelit të çmimit të sigurimit TPL ka rëndësi për të arritur krijimin e masës së nevojshme të fondeve me të cilat do të dëmshpërblehen në mënyrë të mjaftueshme të dëmtuarit nga aksidentet. Si rregull, ky çmim formohet mbi bazën e përllogaritjeve aktuariale, por dy janë konceptet e tij që duhen diferencuar: (i) kosto; dhe (ii) çmimi i zbatuar në praktikë, ose çmimi i shitjes.

Konsumatori final paguan çmimin e shitjes, i cili përmban dhe nivelin e taksave, që aktualisht është 10% e primit, mbi primin e përcaktuar nga vetë operatorët e tregut. Është ky tregues që ditët e fundit ka pësuar rënie të konsiderueshme në muajin nëntor, duke iu përafruar nivelit të kostos. Ndërkohë është niveli i kostos ai që merr më tepër vëmendje nga autoritetet rregullatore, sepse përfaqëson një vijë kritike, e cila nuk duhet shkelur. Sepse, që një shoqëri sigurimi të jetë financiarisht e shëndetshme, duhet që primi i sigurimit të mbulojë kostot e pagesës së dëmeve të ardhshme, shpenzimet operative, si dhe të lejojë një marzh minimal fitimi. Në të kundërt, modeli i biznesit nuk është i qëndrueshëm.

Në vitet e fundit kemi vënë re që, edhe pse tregu ka qenë i liberalizuar, operatorët kanë zbatuar tarifa pothuajse të njëjta, të cilat, po t’u referohemi shifrave zyrtare të AMF-së, në katër vitet e fundit kanë rezultuar të përshtatshme, pasi kanë prodhuar një rezultat pozitiv teknik në nivel tregu, që nënkupton se ato kanë qenë në dukje, të mjaftueshme për të përballuar dëmet, shpenzimet e kompanive, si dhe kanë prodhuar një normë fitimi.

Për të kuptuar se çfarë efekti të dëmshëm mund të ketë ulja e çmimeve TPL, mjafton të bëjmë një vlerësim të thjeshtë të asaj që po ndodh dhe efektit të deritanishëm. Kështu, duke supozuar se primet gjithsej në vitin 2021 janë sa në 2020 dhe tkurrja e primeve do të vërehet për periudhën e mbetur të vitit 2021 (1.5 muaj), një reduktim i tarifave sa është vërejtur aktualisht, pra ndërmjet 26% dhe 28%, ka një efekt ditor prej rreth 7 milionë lekësh likuiditet të munguar, i cili për harkun kohor 1.5 muaj, sjell një efekt negativ prej 317 milionë lekësh, ose sa 2.4% e të gjithë kapitaleve të tregut të jo-jetës. Nëse ky reduktim do të shndërrohej në faktor të qëndrueshëm me veprim vjetor, likuiditeti i munguar do të vlerësohej në gati 19% të kapitaleve të veta të tregut të jo-jetës. Duke qenë se situata është dinamike, kuptohet që reduktime edhe më të mëdha të primit do të sjellin pasoja edhe më të dëmshme.

Kjo situatë, sfidon dhe legjislacionin në fuqi, pasi siguruesit nuk mund të ndryshojnë çmimet më shpesh se dy herë në vit dhe detyrimisht duhet t’i raportojnë ato në AMF 30 ditë para zbatimit. Pra, jemi para një situate, ku duket sikur po sfidohet hapur ligji dhe institucionet rregullatore.

Përveç efekteve negative dhe shkeljeve ligjore, të cituara më sipër, lind pyetja: a ka realisht elemente risku që e justifikojnë rënien e çmimit?

Në fakt, po t’u referohemi shifrave të publikuara nga AMF në Raportin e Mbikëqyrjes 2020, në produktin TPL e Brendshme, marzhi i rezultatit teknik është në nivelin mesatar afro 94% për pesë vitet e fundit, që do të thotë se 94% e tarifave aktuale mbulojnë dëmet dhe shpenzimet e kompanive, dhe vetëm 6% është marzhi pozitiv. Uljet që po hasim këto ditë, qartazi tejkalojnë kapacitetin e tregut për t’i përballuar faturat e ardhshme nga ky produkt. Për më tepër, për periudhën janar-shtator 2021, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik kapën vlerën 2,475 milionë lekë, sipas AMF, duke shënuar një rritje me rreth 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, nëse kësaj analize do t’i shtonim dhe argumentin e rritjes së çmimeve në tërësi, si efekt i pandemisë, flotën e re të automjeteve apo dhe inflacionin e dëmeve që reflektohet në rritjen e dëmit mesatar, duket qartë që drejtimi ku po shkojnë çmimet e TPL është i kundërt me atë që diktojnë faktorët e riskut.

Si mund të veprojë një rregullator në situata të tilla dhe a ka mekanizma për t’u përballur me një fenomen të tillë?

Pavarësisht se tregu i TPL është i liberalizuar, në të vërtetë ka një mekanizëm rregullator, i cili synon pikërisht disiplinimin e këtij procesi, për të shmangur situata të ngjashme. Më konkretisht, neni 7 i ligjit Nr. 32/2021, vendos disa kritere dhe kufizime për procesin e tarifimit, nga të cilat ato më kryesoret renditen si më poshtë:

(i)         Shoqëria e sigurimit njofton Autoritetin të paktën 30 (tridhjetë) ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet bazat teknike, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë.

(ii)        Autoriteti mund t’i kthejë për rishikim tarifat, nëse konstaton se nuk janë në përputhje me parimet e përcaktuara në rregulloret e Autoritetit.

(iii)       Shoqëritë e sigurimit duhet të krijojnë provigjione teknike jo më pak se niveli i provigjioneve teknike i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti.

(iv)       Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik dhe shoqëria e sigurimit nuk mund të aplikojë tarifa të primit të shkruar bruto të ndryshme nga ato të njoftuara në Autoritet.

Ndërkohë, ndryshimi i shpeshtë këto ditë i çmimeve ka tejkaluar numrin e lejueshëm nga ligji për ndryshimet e çmimit, si dhe nuk është e qartë nëse çdo ndryshim është shoqëruar me njoftimet përkatëse në AMF, sipas kërkesave ligjore të renditura më lart.

Përveç mekanizmave të mësipërm, AMF mund të parandalojë dhe fenomenin e shitjeve në avancë të policave TPL, duke i kufizuar hapësirat në sistemin qendror të shitjeve, duke lejuar vetëm disa ditë mundësi shitje në avancë, nga 30 ditë aktualisht. AMF si administruese e sistemit online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik, ka bërë një ndërhyrje ditët e fundit, duke mos lejuar shitje në avancë mbi afatin 15 ditë, nga 30 ditë që ka qenë kufizimi aktual. Edhe pse sipas burimeve nga tregu, kjo masë ka dhënë një efekt pozitiv të lehtë, përsëri është e pamjaftueshme për të administruar situatën e krijuar.

Mekanizmat rregullatorë dhe ata praktikë ekzistojnë dhe duket sikur situata aktuale është një test i mirë për zbatueshmërinë e legjislacionit të ri të kësaj fushe, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2021. Në të kundërt, ngrihen pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e ligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm në fushën e transportit, rregullores që kufizon me tavan komisionet, që AMF ka lajmëruar se do të hyjë në fuqi në datën 1 janar 2022, si dhe në tërësi të rregullimit të këtij segmenti të tregut.

Konkluzioni është i thjeshtë dhe i dukshëm: shëndeti financiar i tregut të sigurimeve të jo-jetës, pra dhe kapaciteti për dëmshpërblimin e të aksidentuarve, po cenohen nga një element tepër i thjeshtë – çmimi i sigurimit TPL! Mbetet për t’u parë nëse AMF do ndërhyjë për stabilizimin e tregut, apo do të jenë operatorët ata që do të vendosin përsëri t’u rikthehen çmimeve të mëparshme.

Në ditët në vijim “Monitor”, do ta ndjekë me vëmendje këtë situatë dhe do publikojë një seri artikujsh dhe analizash, në varësi dhe të ecurisë së situatës.

 

AMF: Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë rritje të eficencës në shpenzimet e marrjes në sigurim

Nisur nga situata e krijuar në tregun e sigurimeve revista Monitor i drejtoi Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pyetjet e mëposhtme:

  1. Sipas burimeve nga tregu, që prej më shumë se një jave ka ulje të konsiderueshme të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm TPL e brendshme, në formën e komisioneve që i ofrohen agjentëve të shitjes, të cilat shkojnë deri në maseë 40% (që nënkupton siguruesit arkëtojnë 40% më pak sesa çmimi i shkruar ne policë). Gjithashtu është evidentuar dhe shitje në avancë e policave TPL.

A ka AMF dijeni për këtë situatë çmimesh dhe çfarë hapash keni ndërmarrë?

  1. Në kushtet e zbatimit të një mbikëqyrjeje me bazë rrezikun, çfarë mekanizmash disponon AMF për tu përballur me një situatë të tillë, përpara se problemet të materializohen, pasi dihet që nëse siguruesit do të zbatojnë prime të ulëta për një periudhë të gjatë, problemet financiare do të materializohen në periudha të ardhshme.
  2. Edhe pse sipas legjislacionit në fuqi, primet e TPL janë të liberalizuara, dhe roli i AMF është i kufizuar në përcaktimin e primit, nisur nga pesha e konsiderueshme që ky produkt ka në treg, zbatimi i çmimeve te ulëta për një periudhë të gjatë do të përkeqësonte ndjeshëm aftesinë paguese dhe shëndetin financiar të tregut, siç e kanë treguar dhe disa përvoja të mëparshme kur kjo gjë ka ndodhur. Në këto rrethana a ka AMF një plan konkret se si mund të parandalohet një situatë e tillë?
  3. AMF ka miratuar rregulla për vendosjen e një tavani për komisionet e TPL, e cila fillon zbatimin nga 1 Janari 2022. Nisur nga situata aktuale, sa e mundur është qe ky tavan të zbatohet nga siguruesit, dhe përveç sanksioneve, çfarë mekanizmash shtesë disponon AMF për zbatimin e rregullave të reja? A do ketë ndikim kjo rregullore në përmirësimin e produktit TPL? Cilat janë pritshmerite e AMF në këtë drejtim?

AMF dha përgjigjen e mëposhtme:

“Në lidhje me pyetjet e ngritura nga ana juaj, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ju informon se:

Bazuar në Ligjin 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, “Shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike, duke marrë parasysh faktorët e riskut.” Gjithashtu, “Shoqëritë e sigurimit duhet të krijojnë provigjone teknike jo më pak se niveli i provigjoneve teknike i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti.”

Për efekt të mbajtjes së provigjoneve, të nevojshme për pagesën e dëmeve, Autoriteti miraton primin e rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta. Primi i rrezikut miratohet si në nivel tregu, ashtu edhe në nivel shoqërie, për secilën shoqëri sigurimi që operon në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës. Provigjonet e shoqërive të sigurimit janë objekt monitorimi në vazhdimësi nga ana e Autoritetit.

Në mbrojtje të të siguruarve përveç provigjoneve teknike që vlerësohen nga aktuarë të autorizuar, çdo shoqëri e sigurimit duhet të zotërojë një kapital të mjaftueshëm që përbën dhe aftësinë paguese të saj. Aftësia paguese përbëhet nga aktivet e shoqërisë së sigurimit, të lira nga çdo përgjegjësi e parashikueshme, duke zbritur prej tyre çdo aktiv të patrupëzuar.

Në Rregulloren nr. 159, datë 29.09.2021 “Për regjistrin elektronik online të shitjeve” parashikohet se “Data e shitjes së policës së sigurimit nuk duhet të jetë më herët se 30 ditë nga data e përcaktuar në policën e sigurimit si data e fillimit të mbulimit. Në rastet e rinovimit, data e fillimit të mbulimit nuk duhet të jetë më herët se data e mbarimit e përcaktuar në policën e sigurimit.”

Përsa i përket, nivelit të komisioneve për ndërmjetësit, bazuar në Ligjin nr. 32/2021, Autoriteti miratoi në mbledhjen e Bordit të datës 26 tetor 2021 rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”. Kjo rregullore hyn në fuqi më 1 janar 2022 dhe sipas përcaktimeve të nenit 4 të saj “Shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022. Kjo vlerë parashikohet të ulet më tej, duke nisur nga 1 janari 2023, duke zbritur në 18% të primit të shkruar bruto për çdo policë të sigurimit të detyrueshëm motorik.”

Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë rritje të eficencës në shpenzimet e marrjes në sigurim, si edhe një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit”.

/Burimi: MONITOR/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *