Rënia e kultivimit të bimëve mjekësore streson eksportuesit

Eksportuesit e bimëve mjekësore vijojnë të përballen me gjetjen e lëndës së parë për të përballuar kërkesën e tregjeve të huaja. Për shkak të reduktimit të bimëve të kultivuara, kompanitë po rrisin importet. Shoqata e Bimëve Medicinale kërkon që fermerët të mbështeten me subvencione direkte dhe të rikthehet skema e TVSH-së së rimbursueshme

Buxheti i vogël për sektorin e bujqësisë dhe mungesa e subvencioneve direkte për fermerët po ndihet nga industritë e ekonomisë. Por kompanitë më të mëdha në vend janë të shqetësuara nga rënia e kultivimit të bimëve mjekësore dhe për të përballuar kërkesën e eksporteve janë të detyruara të shtojnë importet.

Tkurrja e prodhimit është ndikuar nga shpopullimi i zonave malore, emigrimi i fermerëve, mungesa e subvencioneve, rritja e çmimeve të inputeve bujqësore dhe Paketa Fiskale 2022.

Eksportet e bimëve mjekësore shënuan rritje 14% në 2020 kur nisi pandemia në raport me 2019, por industria humbi mundësinë “e artë” për të shfrytëzuar hapësirat e krijuara në tregun europian dhe më gjerë të bimëve mjekësore.

Pamundësia e eksportuesve për të investuar në makineri dhe për të rritur shkallën e përpunimit të produktit final ndikoi në humbjen e shansit të sektorit për të konkurruar me rajonin.

Sipas të dhënave të doganave, eksportet e bimëve mjekësore në vitin 2021 u rritën 6% krahasuar me vitin e kaluar. Për vitin 2022, kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se trendi rritës i eksporteve 6-7% do të mund të garantohet vetëm me rritjen e importit të bimëve mjekësore, pasi në vend ekziston mungesë e theksuar e lëndës së parë.

Për kreun e Shoqatës së Bimëve Medicinale është shqetësuese heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së 6%, që do të shtojë pesimizmin e fermerëve për të kultivuar tokat bujqësore. Arsye tjetër e rënies së prodhimit vendas mbetet shpopullimi i zonave malore, por edhe ikja e fermerëve në emigracion.

“Nga viti në vit, importi i bimëve që më pas rieksportohen është rritur. Për 2021, vlera e importeve ishte 2 milionë dollarë dhe parashikohet të zgjerohet edhe në vitin 2022. Sipërmarrësit importojmë mëllagën e bardhë, dëllinjën e zezë, rigonin, rozmarinën nga Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Tunizia dhe Ukraina, pasi tokat në vend janë djerr.

Kompanitë janë të detyruara të importojnë lëndë të parë nga Kosova, Mali i Zi, Tunizia, Ukraina dhe vende të tjera me qëllim që të përmbushim kërkesat e tregut të huaj që bashkëpunojmë prej 30 vitesh”.

Vendi kryesor i eksporteve është Gjermania. Për 2020-n, rreth 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani, SHBA dhe rreth 10% e tyre në Turqi dhe Francë.

 

Burimi: Doganat

 

A do të importohet sherebela dhe rigoni për tu përpunuar më pas për eksport?

Kompania “Albanian Herb”, në Shkozet të Durrësit, është e njohur për bashkëpunimin e saj me një ndër sipërmarrjet më të mëdha turke për eksportin e rigonit dhe të sherebelës.

Kujtim Zere, nga “Albanian Herb”, pohoi se këtë vit, sektori do të ketë vështirësi për të përmbushur kërkesat për eksport të bimëve mjekësore. Arsyet kryesore janë problematikat e mbartura ndër vite.

“Problemet për sektorin e eksportit të bimëve mjekësore janë krijuar ndër vite dhe për to nuk është dhënë zgjidhje. Nga kompanitë po ndihet më shumë mungesa e fuqisë punëtore për mbledhjen e bimëve në male dhe në fabrikat përpunuese, por në anën tjetër, ka edhe rënie të të mbjellave nga fermerët.

Me kalimin e viteve po ulet sasia e bimëve natyrale që mbillen nga bujqit, për shkak të largimit të tyre. Zonat malore janë plot me bimë, por nuk ka njerëz që t’i mbledhin. Një pjesë e konsiderueshme e fermerëve janë larguar nga fshati dhe kanë emigruar në Greqi dhe Gjermani, pasi nuk iu leverdis të mbjellin tokën.

Fermerët e tjerë kanë ulur kultivimin e bimëve, pasi nuk i përballojnë kostot e të mbjellave. Për shkak të këtyre dukurive, 2-3 vitet e fundit kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore dhe aromatike janë detyruar të importojnë lëndën e parë.

Këtë vit hyri në fuqi edhe heqja 6% e TVSh-së së kreditueshme, që do të shtojë problematikat e sektorit. Efekti i parë do të jetë tek ulja e çmimit, e cila prek fermerin që kultivon bimët mjekësore”.

Puna për grumbullimin e bimëve edhe për këtë kompani eksportuese është e organizuar me fermerët. Para se të blihen nga fermerët, produktet kontrollohen në pikat e grumbullimit, por edhe pasi vijnë në fabrikë për pesticide. Në tregjet e huaja, aktualisht është rritur kërkesa për bimë mjekësore, e forcuar edhe nga pandemia.

Eksportuesit ngrenë shqetësimin e mungesës së bimëve në vend, çka do t’i detyrojë ata të importojnë nga shtetet e tjera dhe më pas t’i rieksportojnë. Kompania “Albanian Herb” e eksporton sherebelën e kultivuar nga zona Mbishkodrës në Turqi, ndërsa rigoni i kultivuar në zonën e Belshit eksportohet në Greqi.

Edhe për eksportuesin Kujtim Zere, ekziston frika që, këtë vit, kërkesa për eksporte nuk do të mund të plotësohet nga tregu vendas.

Sipas tij, e ardhmja e sektorit duhet të jetë shtimi i kultivimeve, i cili kërkon mbështetje në subvencione për fermerët, në të kundërt kompanitë do të jenë të detyruara të importojnë lëndën e parë nga jashtë. “Rritja e kërkesës gjithmonë është shoqëruar me ulje të cilësisë së bimës së sherebelës nga tregu vendas.

Për këtë arsye, për të plotësuar kontratat e eksportit, shumë kompani janë detyruar të importojnë nga shtete si Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Egjipti. Këtë vit shihet se ka rënie të prodhimit të sherebelës dhe kjo po ndodh për shkak të emigrimit të popullsisë të këtyre zonave. Ne ende nuk kemi nisur importin, por nëse do të jetë e nevojshme, do të marrin lëndën e parë nga jashtë. Para disa vitesh kemi importuar nga Bosnjë-Hercegovina.”

Arif Daçi, nga kompania “Agroherbal”, thekson se këtë vit, importi i bimëve mjekësore do të diktohet nga hapësirat e tregut të eksporteve për Europën.

“Nuk është vetëm rënia e prodhimit që ka ndikuar tek importet e bimëve medicinale. Në vend kultivohen bimë që nuk janë konkurruese për tregun, pasi prodhimi i Egjiptit apo Marokut është më cilësor, për shkak të klimës dhe përpunimit. Importet kryhen edhe për disa lloje bimësh që nuk kultivohen, apo pasi çmimet e tyre në Shqipëri janë më të shtrenjta se vendet e rajonit.

Kjo nuk mund të konsiderohet fatalitet për sektorin, por shfrytëzimi i mundësive për të ruajtur pozicionet në tregun e huaj”. Kompania “Agroherbal” e plotëson pjesën më të madhe të eksporteve nga tregu vendas, si dhe importon bimë nga Kosova, Egjipti apo Maroku.

 

Burimi: Doganat

 

Shkalla e përpunimit të produktit final

Shkalla e përpunimit të bimëve në Shqipëri është e ulët për shkak të mungesës së investimeve. Në tërësi, sektori arrin të përpunojë në produkt final 25% të prodhimit, ndërsa 75% eksportohet si lëndë e parë.

Hyrja në fuqi në vitin 2023 e kritereve të reja për aplikim të fondeve të BE-së nga kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore, pritet t’i japë frymëmarrje sektorit, sipas kryetarit të Shoqatës së Bimëve Medicinale, Filip Gjoka.

“Presim që për vitet 2023-2030, shkalla e përpunimit të produktit final të rritet, pasi hyn në fuqi ndryshimi i rregullave për aplikimet e kompanive shqiptare në projektet e granteve të BE-së.

Me vendimin e ndryshuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, edhe kompanitë me xhiro deri në 11 milionë dollarë kanë të drejtë të aplikojnë për fondet e BE-së. Më parë, kompanitë me xhiro deri 2,4 mln dollarë nuk mund të aplikonin për fondet mbështetëse të BE-së.

Shumë kompani janë penalizuar për shkak të kësaj mase. Rritja e pragut të xhiros për fonde do të ndikojë pozitivisht te rritja e eksporteve të tyre. Kompanitë e eksportit të bimëve mjekësore nuk mund të zhvillohen pa magazina dhe pika të mëdha të grumbullimit të bimëve.

Përfitimi i këtyre fondeve do të rrisë kapacitetin magazinues dhe përfitues të sipërmarrjeve. Për ne është edhe një shpresë e madhe për të rritur konkurrencën me vendet e rajonit”.

 

Pse po e braktisin tokën fermerët?

Fermerët po braktisin serat të ngritura me të ardhurat e emigracionit, për të punuar sërish jashtë. Kryetari i Shoqatës së Fermerëve, Eduard Sharka, tha për “Monitor” se investimet e tyre kanë falimentuar, pasi 90% të produkteve i shitën nën kosto.

“Kjo është arsyeja kryesore që shumë prej tyre po i lënë tokat djerr, po i braktisin serat dhe po largohen. Janë me dhjetëra raste fermerësh që largohen për të punuar në serat e Sicilisë dhe Kretës. Fermerët kanë jetuar edhe më parë në këto shtete.

Remitancat e fituara ndër vite i investuan në vendin e tyre për ngritjen e serave. Por duke qenë se sektori i bujqësisë është tepër kaotik, pa rregulla, pa bursë, pa inpute të kontrolluara, pa subvencione, fermat e tyre arritën të lulëzonin vetëm për 2-3 vjet”. Arsyet kryesore që po i shtyjnë fermerët të braktisin investimet, sipas drejtuesit të Shoqatës së Fermerëve janë buxheti i ulët për bujqësinë dhe mungesa e fondeve mbështetëse ndaj bujkut.

“Fondi për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është 1,2% e totalit të buxhetit, në Kosovë zë 3,6% të buxhetit dhe për vendet e Europës, 5%. Në BE, pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është 2-3%, ndërsa në Shqipëri është 20% e PBB-së.

Raporti është shumë i zhdrejtë dhe që këtu nisin problemet për sektorin. Në anën tjetër, zbatimi i subvencioneve do të lehtësonte kostot e prodhimit për fermerët dhe do të stimulonte ata të punonin tokën. Për shkak të mungesës së mbështetjes së bujqësisë, fermerët po përballen çdo vit me humbje. Këtë vit pritet të ketë rënie drastike të eksporteve”.

 

 

Masat që duhet të zbatohen në bujqësi 

Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Aromatike thotë se, deri tani, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka ende një politikë të mirëfilltë për subvencionet e fermerëve në mbështetje të kësaj industrie.

Garancia Sovrane, që parashikon në një fond prej 1 mld lekësh, në dispozicion të fermerëve për të financuar 50% kolateralin e kredive të bujqësisë konsiderohet nga shoqatat e bujqësisë masë e pamjaftueshme për të zgjidhur problematikat e sektorit.

Filip Gjoka thotë se kjo është një masë e vogël që nuk mund të përmbushë kërkesat e sektorit agropërpunues për financim. “Shumë fermerë të vegjël, ende nuk janë formalizuar dhe e kanë të pamundur të përfitojnë subvencionet e qeverisë.

Grupimi i fermerëve në kooperativa do të ishte një zgjidhje që do të ndihmonte në formalizimin e bujqve. Por kjo nismë duket e pamundur për t’u realizuar, pasi shumë fermerë ende nuk janë të gatshëm të grupohen në bashkësi të vogla. Subvencionet e qeverisë duhet të shkojnë direkt te fermerët e formalizuar dhe jo për grumbulluesit e produkteve bujqësore”.

Për drejtuesin e Shoqatës së Fermerëve, Eduard Sharka, do të ishte më e leverdishme që fondi të përdorej për zbutjen e interesave të kredive, ose për financimin e primit të siguracioneve për serat. “Fermerët e vegjël dhe të mesëm nuk mund të aplikojnë për përfitimin fondesh nga garancia sovrane, pasi nuk përmbushin kriteret për t’u financuar nga bankat.

Nga kjo masë mund të përfitojnë vetëm fermat, të cilat janë të pakta në numër. Garancitë sovrane që u aplikuan edhe në periudhën e fillimit të pandemisë treguan se interesi i biznesit për to ishte i ulët, për shkak të interesave të larta.

Nisur nga përvoja e kaluar dhe me problematikat e mëdha të sektorit të bujqësisë, do të ishte më e përshtatshme që fondi, edhe pse është i vogël, duhej të përdorej për zbutjen e interesave.

Ulja e interesave e nxit më tepër fermerin të aplikojë për kredi dhe vetëm kjo masë mund të nxiste financimin e fermerëve në bujqësisë.

Dhënia e granteve për mbulimin e interesave të kredive janë masa që po zbatohen nga shumë shtete. Para problemeve që ka bujqësia këtë vit, kjo masë është shumë e vogël. Sektori është në krizë prej tre vitesh dhe shumë produkte hidhen në kanale.

Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe nga fatkeqësitë natyrore ku nuk ndërhyn njeri. Mungon aksesi për siguracionin e fermave. Fondi me vlerë 1 miliard lekë do të ishte më i vlefshëm nëse do të përdorej për të mbuluar primin e sigurimit të serave.

Jemi në një pikë ku investimet në bujqësi po braktisen. Masat e qeverisë duhet të fokusohen në ruajtjen e investimeve, nuk është momenti për investime të reja, pasi kreditë janë për investime të reja”.

Këtë vit, sektorit të bujqësisë i shtohet edhe problemi i rritjes së kostove nga çmimet e larta të inputeve bujqësore. “Ndërsa të gjitha qeveritë morën masa për të kompensuar efektin e krizës globale në rritjen e kostove të fermerit, qeveria i shtoi 10% TVSH inputeve bujqësore.

Për shkak të kësaj mase, nga të dhënat e shoqatës 25% e fermerëve nuk kanë porositur fidanë për mbjelljen e serave”, shton z. Sharka. Vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e imputeve bujqësore u miratua me paketën e re fiskale nga zero që ishte prej 2018-s.

Për të përballuar situatën në bujqësi, Shoqata e Fermerëve dhe KASH kërkuan në fund të vitit të kaluar ndryshimin e modelit të përdorur deri tani për subvencionimin, duke kaluar nga subvencionet indirekte, të cilat kalojnë nëpërmjet proceseve burokratike të vështira për fermerët, në subvencione të drejtpërdrejta për prodhimin, nëpërmjet faturave tatimore.

Ata propozuan subvencione direkte për fermerët nëpërmjet faturës tatimore me fond në vlerën 70 milionë euro/vit për fermerët e fruta-perimeve; 5 milionë euro/vit fonde mbrojtje për bizneset eksportuese, pasi janë me risk për shkak të kushteve të ekonomisë dhe duhen të mbrohen.

Skema e subvencionimit direkt të fermerit, që kultivon perime të freskëta në bazë të produktit të hedhur në treg, të justifikuar me faturë tatimore, u kërkua të jetë e ngjashme me skemën e aplikuar në vitin 2019 për prodhuesit e qumështit, por pa procedurat burokratike të aplikimit dhe konkurrimit në AZHBR dhe pa limit.

Edhe nga Shoqata e Përpunuesve të Qumështit u kërkua 10 lekë subvencion për çdo litër qumësht lope/dele/dhi të dorëzuar nga fermeri në pikat e licencuara të grumbullimit ose fabrikat e përpunimit të qumështit. Sipas tyre, skema mbështetëse duhet të jetë pa limit, në mënyrë që çdo fermer ta përfitojë subvencionin për çdo litër qumësht të prodhuar, njëlloj si në rajon.

 

 

Të ardhurat e kompanive eksportuese

Të ardhurat e kompanisë “Filip Co” për 2020 u rritën 34% më shumë se në 2019-n. Rritje shënuan edhe fitimet prej 41%. Në vitin 2019, të ardhurat e kompanisë ranë 6,5% krahasuar me 2018 sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e kompanisë “Agroherbal” për 2020 regjistruan tkurrje të lehtë prej 4%, ndërsa fitimet ranë 1%.

Në vitin 2020, kompania “Albanian Herb” rriti të ardhurat 22% më shumë se në 2019, ndërsa fitimet ranë 12%. Për 2019, të ardhurat e kompanisë u rritën 28% dhe fitimi 22% më shumë se në 2018.

Në vitin 2020, kompania “Gjedra” ka pasur rënie të lehtë të të ardhurave 2%, ndërsa fitimet u rritën 71%. Edhe për 2019-n, të ardhurat e operatorit “Gjedra” u tkurrën 9% se një vit më parë, ndërsa fitimi u rrit vetëm 1%.

Rënie të të ardhurave në 2020 regjistroi edhe kompania “Ballenja”, 64% më pak se në 2019 dhe 1% kompania “Herba Fructus Natyror”. Në 2019 sipas të dhënave të QKB-së, të ardhurat e kompanisë “Ballenja” u rritën 96% më shumë se në 2018-n.

 

 

Trafiku i drogës nëpërmjet bimëve mjekësore po penalizon eksportuesit e ndershëm 

Ngjarja e ndodhur ditët e fundit të vitit të kaluar ku një subjekt i vogël eksportues i bimëve mjekësore u kap nga policia duke transportuar në kamion edhe lëndë narkotike në kufirin e Malit e Zi po penalizon me vonesa në kontrolle e kosto shtesë transporti edhe sipërmarrjet e ndershme që operojnë prej 30 vitesh në sektorin e eksporteve.

Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, pohoi për “Monitor” se ngjarja e ndodhur prej një muaji po krijon shqetësime për eksportuesit, të cilët operojnë prej vitesh rregullisht në treg.

Sipas tij, pas kësaj ngjarje nga pala e Malit të Zi është vendosur që asnjë kamion që eksporton bimë mjekësore të mos kalojë kufirin pa kryer skanimin. Shqetësimet për kompanitë janë krijuar nga zvarritjet e gjata që kamionët me bimë mjekësore duhen t’iu nënshtrohen skanimit në Portin e Durrësit dhe më pas të vijojnë kalimin tokësor në Doganën e Hanit të Hotit.

“Për eksportin tokësor të bimëve mjekësore drejt shteteve të Europës shumica e sipërmarrjeve të sektorit kalojnë nëpërmjet kufirit me Malit i Zi. Ngjarja e fundvitit ka shtuar vështirësitë e punës sonë, pasi para se të kalojnë në Doganën e Hanit të Hotit, fillimisht kamionët duhet të skanohen në Portin e Durrësit.

Mungesa e skanerëve në pikat doganore, përveç asaj të Durrësit po shton kostot e kompanive. Përveç të tjerash, në Doganën me Malin e Zi kompanitë e ndershme, që janë në treg prej dekadash po trajtohen si trafikantë droge, duke iu hedhur gjithë mallin në tokë.

Një kompani që operon prej 30 vitesh në treg asnjëherë nuk rrezikon të trafikojë lëndë narkotike. Nuk jemi kundër kontrollit të kamionëve, por jemi të shqetësuar për vonesat dhe kostot e larta që po paguajmë.

P.sh., është rasti i kamionit nga Elbasani që ka kryer skanerin në mëngjes në Durrës dhe për të kaluar kufirin e Malit të Zi i është thënë të presë orën 19:00 të mbrëmjes bashkë me 6 punëtorët.

Operatorë të tjerë për të shmangur vonesat në pikën kufitare të Hanit të Hotit, po kalojnë kamionët nga pika kufitare e Qafë Thanës, duke paguar 500 euro më tepër për transportin”.

Kreu i Shoqatës së Bimëve Medicinale tha se për problematikën e krijuar ka vënë në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi nëpërmjet ambasadës shqiptare për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët që mund të jetë instalimi i një skaneri në pikën doganore me Malin e Zi./Monitor

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *