Reperi 27-vjeçar nga Irani, Saman Yasin, është dënuar me vdekje nga Gjykata, pasi u arrestua për mbështetjen që i dha protestave të zhvilluara në vendin e Lindjes së Mesme, që u zhvilluan pas dhunës barbare që policia ushtroi kundrejt Mahsa Amini dhe që shkaktoi vdekjen e saj.
Kur artisti mësoi dënimin në seancën gjyqësore, shpërtheu në lot. Ndërkohë edhe pse lajmi është bërë publik sot, në fakt ai e ka marrë gjykimin në 29 tetor.
Yasin jo vetëm mbështeti protestat, por edhe bëri një këngë kundër regjimit dhe dhunës që po ushtrohet, ndërsa u arrestua në 2 tetor, për të marrë dënimin me vdekje në fund të muajit që lamë pas. Mësohet se familja dhe avokati i të riut nuk ishin të pranishëm në seancë.
Besohet se familja dhe avokati i reperit, të paktën nga sa thonë burimet, janë kërcënuar nga regjimi që të mos e diskutojnë vendimin që është marrë.