Reshjet e shiut izolojnë disa fshatra, probleme dhe me rrëshqitjen e dherave në rrugë

Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruar me erë të fortë kanë përfshirë vendin në dy ditët e fundit, duke shkaktuar probleme në disa akse rrugore.

Rrëshqishtja e dherave ka bllokuar disa rrugë ndërsa prurjet e lumenjve dhe përrenjve kanë izoluar fshatrat në Librazhd dhe Gramsh:

Reshjet e shiut kanë vazhduar përgjatë gjithë natës në Lezhë, por raportohet se situata po mbahet në kontroll për të shmangur përmbytjet. Niveli i lumenjve dhe sistemi kullues është në kuota normale. Hidrovorët janë në gatishmëri teknike për pune, njoftojnë autoritetet lokale.

Shirat e furishëm kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në disa akse rrugore të Librazhdit. Pamjet nga rruga e Qarrishtës tregojnë bllokimin e plotë, që e bën këtë aks të pakalueshëm nga automjetet.

Disa fshatra të Gramshit janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë vazhduar gjatë natës. Top Channel raporton se në Poroçan është bllokuar fshati Gjere dhe Holtë. Ka vështirësi për të lëvizur drejt qendrës së Poroçanit, për shkak të fryrjes së përroit Liçaj.
Në njësinë e Kushovës është bllokuar fshati Kërpicë. Në njësinë administrative Pishaj është shembur ura e fshatit Liras. Problem për qarkullimin e mjeteve ka dhe në Bicaj, Posnovisht, Kishtë.

Moti i keq mbizotëron prej disa ditësh në Vlorë. Për pasojë, është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla, ndërsa tragetet kanë dalë në Rad, për të shmangur përplasjen me shkëmbinjtë.
Niveli i lumit Vjosa është 6.10 metra mbi nivelin e detit këtë mëngjes, ndërkohë që një natë më parë arrti në kuotat 6.70. Pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 metra mbi nivelin e detit. Prurjet e Vjosës, të hënën shkaktuan përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit, por pa problem për banorët e njësisë administrative Novoselë.

Peshkatarët në Radhimë u përballën këtë mëngjes me një situatë të pazakontë, teksa dallgët e mëdha mbushën me ujë varkat e tyre të peshkimit. Ata luftuan me erën e fortë dhe dallgët që arrinin 6-7 ballë e që mbuluan varka, skafe e gomone. Peshkatari Sherif Dyrmishi tregon se janë mbytur disa varka të vogla, ndërsa shprehet i shqetësuar pasi nëse situata përsëritet, koston për ta do ishin shumë të larta.

Ndërkohë që kushtet meteorologjike nuk favorizojnë lundrimin detar. Era fryn nga veriperëndimi, forca e detit në gjirin e Vlorës është 6-7 ballë, ndërkohë në det të hapur deri në 8 ballë, me shpejtësinë e erës që arrin në 15-20m/s dhe lartësia e dallgës 2.5 m. Mjetet e vogla nuk lejohen të dalin në det, ndërkohë që trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka mbërritur në orët e para të ditës.

Prej tri ditësh edhe qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi ere.
Intensiteti ka qenë i lartë dhe ka arritur të nxjerrë nga shtrati në disa segmente lumenjtë Drino dhe Vjosa ndërsa edhe përrenjtë malorë kanë sjellë aluvione në disa akse dytësore. Përroi i Lazaratit përmbyti për rreth 1 orë aksin nacional drejt Kakavijës por tani situata është nën kontroll.
Probleme kanë pasur edhe rrugët dytësore që çojnë drejt disa zonave të thella në Tepelenë, Përmet , Malësinë e Golemit.

/Burimi: TCH/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *