Kosova ka forcuar kontrollet në kufirin e saj me Serbinë pas arrestimit të tri policëve të saj nga forcat serbe, tha të enjten kryeministri Albin Kurti teksa kërkoi lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve, shkruan Reuters.
Si Beogradi ashtu edhe Prishtina dhanë vende të ndryshme të arrestimit të tri policëve, ku secili akuzoi palën tjetër për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestimet ishin të fundit e një serie zhvillimesh që kanë rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, duke shkaktuar frikën e ripërtëritjes së dhunës ndërmjet ish-armiqve të kohës së luftës.
Në pikën kufitare Merdare, më e madhja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka pasur një varg të gjatë kamionësh të enjten në mëngjes pas vendimit të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe të mallrave serbe në territorin e saj.
Një reporter i Reuters pa automjete të vogla me targa serbe që kalonin kufirin, pavarësisht njoftimit të qeverisë se do të ndalonte të gjitha automjetet, përfshirë makinat.