Revista e njohur: Mos i përgojoni shqiptarët si kriminelë! Ata po largohen nga varfëria masive dhe korrupsioni

Një nga revistat më të njohura online, Vice, në një shkrim të gjatë, thotë se në Britaninë e Madhe, shqiptarët po përgojohen si kriminelë nga media dhe politika.

Por revista amerikano-kanadeze shkruan se ata nuk duhen portretizuar si kriminelë, pasi po largohen nga varfëria dhe korrupsioni masiv.

“VICE ka zbuluar se realiteti në terren në Shqipëri- një vend me 2.8 milionë banorë në Europën Juglindore- është shumë më i ndryshëm nga tabloja e paraqitur në mediat e Mbretërisë së Bashkuar. Në vend të kësaj, shqiptarët po rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar kanalin për shkak të një stuhie të përsosur varfërie në rritje, korrupsionit dhe traumës psikologjike, e cila është përdorur në mënyrë gjithnjë e më efikase nga bandat e trafikantëve.

Më shumë se gjysma e vendit është në rrezik të varfërisë, më e larta në Europë sipas të dhënave të BE-së. Me disa nga pagat më të ulëta në kontinent, shqiptarët janë goditur tepër rëndë nga kriza globale e kostove të jetesës dhe rritja e kostove të ushqimit, sepse pothuajse gjysma e të ardhurave të familjeve në Shqipëri, shkojnë për ushqim, sërish përqindja më e lartë në Europë. Situata e rëndë, e cila përfshin shkollat pa ngrohje dhe ujë, çoi në një sërë protestash masive antiqeveritare në Tiranë këtë vit. Ndërsa Shqipëria është e njohur për korrupsionin e gjatë shtetëror dhe gjakmarrjen, vitin e fundit qytetarët e dëshpëruar kanë qenë dëshmitarë të një serie dramatike atentatesh të profilit të lartë dhe një mungese të perceptuar veprimi kundër sjelljeve korruptive nga politikanët.

Besimi në shërbimet publike- si gjyqësori dhe policia- ka rënë pikiatë, me pothuajse nëntë në dhjetë njerëz që besojnë se korrupsioni është i shumëpërhapur në shoqërinë shqiptare. E gjitha kjo po ndodh në sfondin e një ekonomie të tregut të zi në shkallë të gjerë, emigracionit historik, rrjeteve të krijuara të trafikut të njerëzve dhe drogës, paqëndrueshmërisë ekonomike, shkallës së lartë të dhunës në familje dhe një bombe me sahat të shëndetit mendor.

Në fillim të vitit, ndërsa situata për shqiptarët e zakonshëm u përkeqësua dhe më shumë prej tyre vendosën të ndërmarrin veprime drastike dhe të largoheshin, trafikantët vendosën të përfitonin nga dëshpërimi”, shkruan revista.

“Këtë vit, inflacioni në Shqipëri arriti në nivelin më të lartë të 20 viteve. Familjet që po luftonin për të mbijetuar më parë, tani janë në panik për atë që pritet përpara. Mbi gjysma e shqiptarëve punojnë në ekonominë informate nga dëshpërimi, që do të thotë paga më të ulëta, pa sigurime shoqërore dhe më pak të drejta. Kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, mjekimi mund të jetë i shtrenjtë dhe deri në dy të tretat e shqiptarëve raportojnë se paguajnë ryshfet për t’u trajtuar, duke përkeqësuar barrën financiare për anëtarët e familjes”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *